
Për nënkryetarin e delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, politikanët shqiptarë duhet të flasin me një zë, pasi statusi në qershor sipas tij është i arritshem. Për Jelko Kacin, politikanët duhet të bindin vendet anëtare të BE, por ata janë duke u marrë me veten.
Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç thotë se, edhe në takimin e fundit në Strazburg u dëgjuan akuza të parëndësishme. “Por kur unë dhe Tanja Fajon ngritëm çështjen e 21 janarit, nuk pati përgjigje”, thekson ai, ndërsa shton se kur dikush vritet, kjo nuk mund të kapërcehet. Me zotërinjtë Kacin dhe Vuljaniç bisedoi korrespondentja jonë, Arta Tozaj.
Tozaj: Zoti Kacin, ju u shprehët se këtë herë vërejtët njëfarë “humori më të mirë” për diskutimet në Komitetin me Shqipërinë. Ku qëndron dallimi?
Jelko Kacin, nënkryetar i Delagacionit për Ballkanin në PE: “Unë do të thoja se deputetët tuaj janë më shumë diplomat, nëse mund ta them. Ata nuk bërtasin njësoj si më parë. Nuk janë aq agresivë sa më parë kundër njëri-tjetrit. Por, ende biseda mbetet brenda delegacionit tuaj.
Duket sikur ata nuk e kuptojnë se delegacioni duhet të merret vesh me delegacionin tonë, pala e tyre me palën tonë. Ata janë kaq të zënë me vetveten, aq sa ndonjëherë duket si e parëndësishme nëse ne jemi apo jo të pranishëm aty. Kjo, sepse gjithçka ata dinë për njëri-tjetrin duan që ta përsërisin edhe këtu para nesh, në një mënyrë më të sjellshme se më parë.
Por, për të gjetur rrugëdaljen, për të bërë progres, ata kanë dëshpërimisht nevojë për të bërë dialog me institucione të tjera. Ndaj, ajo që ne kërkojmë si premtim është përmirësimi i tyre për të qënë në gjëndje të flasin, nëse mund ta them, me një zë të vetëm. Të flasin në emër të Shqipërisë për ato çfarë të dyja palët, koalicioni dhe opozita, janë të gatshme të bëjnë, të dorëzojnë, të zbatojnë, të përmirësojnë statusin dhe të sjellin progresin për fazat e tjera të procesit të anëtarësimit.
E duke marrë parasysh faktin se Shqipëria është në fillim të nisjes së këtij procesi, atyre iu duhet dëshpërimisht statusi, e ky status është i arritshëm në qershor. Mendoj se ata nuk po e kuptojnë këtë dhe se çfarë po i bëjnë vetes aktualisht. Ata s’bëjnë asgjë për veten e tyre sepse janë shumë të zënë me vetveten.
Ne jemi këtu për të dëgjuar mesazhet nga Tirana, nga të dyja palët, se çfarë do të bëjë Shqipëria gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. E sigurisht, ne jemi miq dhe shumë të dedikuar për të mbështetur Shqipërinë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ata duhet të bindin vendet anëtare dhe pa folur njëzëri është shumë e vështirë të bindësh shefat e shteteve dhe qeverive që t’i japin Shqipërisë statusin kandidat në qershor”.
Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë: “Mua më duket se kemi ngecur në një rreth vicioz. Më ngjan se jam në një fushë tenisi duke parë sa majtas e djathtas për çfarëdolloj gjëje që thonë. Unë nuk jam i interesuar në të vërtetë se kush duhet fajësuar për korrupsionin.
A është kryeministri i korruptuar apo opozita e korruptuar. Kjo nuk më intereson. Ajo që më intereson mua është se si dhe se çfarë do të bëjnë qeveria dhe opozita për të ndihmuar vendin e tyre. Kjo është e vetmja çështje për diskutim këtu dhe nuk u diskutua. Ne dëgjuam gjithë kohës akuza të vazhdueshme që janë pothuajse të kota.
Dhe kur unë me zonjën Fajon ngritëm çështjen e 21 Janarit, aty nuk pati përgjigje. E vetmja fjali që kam dëgjuar, e tmerrshme, është ajo që të gjithë e dinë këtë. Edhe unë e di që ju të gjithë e dini, por pse nuk bëni diçka për këtë?!”.
Tozaj: Në çfarë kuptimi “të gjithë e dinë”, çfarë dihet?
Vuljaniç: “Që dikush u vra. Kështu tha drejtuesi që “të gjithë e dinë”. E kuptoj se të gjithë e dinë se ata njerëz u vranë nga forcat e sigurisë, sepse forcat e sigurisë ishin atje për këtë, apo jo? Edhe kamerat e televizioneve ishin atje, e gjithçka është filmuar. Kështu që nuk jam vërtet i interesuar nëse vrau një gardist apo tjetri, sepse kjo i takon policisë ta gjejë, por ata janë vrarë. Thjesht e vërteta. Kjo nuk mund të anashkalohet. Në një shoqëri civile, ne nuk mund të kapërcejmë faktin se dikush është vrarë”.
Top Channel