Era e qelbur dhe e padëshme e post-kimikateve

15/03/2014 00:00

GJERGJ EREBARA – Ka disa dreq rregullash kur shkruhet historia. Ajo mund
të jetë histori bashkëkohore, histori kujtimesh apo histori arkivash.
Më së shumti ajo është një johistori, një përrallë që përpiqet (dhe për
fat të keq ia del shumë shpesh) të krijojë narrativë nga e shkuara për
të justifikuar apo legjitimuar pushtetin apo veprimet e së tashmes.

Kur shkruhet histori bashkëkohore, shkruhen ato fakte të raportuara në kohën kur janë raportuar. Dëshmitarët mund të pyeten, por, siç thuhet nëpër gjykata, dëshmitari është prova më e dobët para gjykatësit.

Arsyeja për këtë mungesë respekti për dëshmitarin është e thjeshtë: pasi ka mbaruar ngjarja, dëshmitari, i cili është njëkohësisht edhe pjesëmarrës në ngjarje dhe jo thjesht vëzhgues i saj, mund të japë një variant të ngjarjeve që e nxjerr atë apo personat që ai ka në zemër, në një këndvështrim pozitiv, ndërsa nxjerr kundërshtarët në këndvështrim negativ. Shembullin më të madh për këtë e kemi nga tregimet e partizanëve.

Këtë rregull të thjeshtë e përmendi i zemëruar Kristo Frashëri kur u pyet për kujtimet e Eqrem Bej Vlorës. Kur u botuan për herë të parë në shqip më 1998-n, kujtimet e Vlorës u përpinë nga shqiptarët. Qenë të shkruara më së miri, përplot detaje gajasëse. “Kujtimet”, tha Frashëri, “nuk janë burime historike”. Historianët, ashtu edhe johistorianët, mund t’i lexojnë, por duhet ta dinë se kurrë nuk i zëvendësojnë dokumentet. Kujtimet e Vlorës paraqitnin kulturë mes familjeve bejlere shqiptare, para së gjithash, kulturë “perëndimore”. Janë të shkruara më së miri, plot detaje gajasëse. Ai libër e fyen pa teklif shqiptarin e zakonshëm, e paraqet injorant, hajdut etj. Kur një shqiptar në ushtrinë e mbrojtjes territoriale nën komandën e Eqremit shkon të grabisë një govatë druri, kjo konsiderohet barbari. Ndryshe ndodh kur një politikan shkon të grabisë asetet publike pasi fiton zgjedhjet. Kjo nuk quhet barbari. Maksimumi konsiderohet “vjedhje intelektuale” ose “politikë”.

Vlora e paraqet veten si një viktimë të rrethanave injorante të realitetit shqiptar. Dyshimet e shqiptarëve ndaj të pasurve, i sheh si teori komploti dhe thashetheme të pabaza e të dëmshme.

Në vitin 1920, Vlora u përball me një krizë, pak më të rëndë se ajo e armëve kimike të nëntorit të kaluar. Shqiptarët e rëndomtë, ata që konsideroheshin si luftëtarë që dilnin në luftë për plaçkë lufte, u mblodhën, nën udhëheqjen e oficerëve, më së shumti të arsimuar në Turqi e të rrahuar në luftërat e shumta të perandorisë, për të luftuar një superfuqi të kohës, Italinë.

Vlora thotë se i qe ofruar posti i kryekomandantit, por me cektësinë e tij intelektuale, e kishte refuzuar, i bindur se shqiptarët nuk mund të fitonin një luftë kundër Italisë. Pastaj tregon se si ia përmendi bindshëm gjeneralit italian të Vlorës, ndërsa hanin darkë se me zemër sikur qe me luftëtarët rebelë që po vriteshin jashtë Vlorës. Ne nuk e dimë nëse këto dy ngjarje kanë ndodhur vërtet, por dimë se varianti i historisë së shkruar nga kujtimet e protagonistit e nxjerrin atë të larë në të dyja rastet. Refuzimi i tij ishte i bazuar në logjikë, por qe një gabim pa dashje.

Në një detaj tjetër, kryengritjen e Elez Isuf Ndreut që pushtoi Tiranën gjatë viteve të trazuara të pluralizmit politik 1920-1924, ai tregon se si një luftëtar dibran nuk ia kishte idenë se po luftonte Shqipërinë, nuk ia kishte idenë se çfarë qe Shqipëria e të tjera gjëra.

Vlora i mbyll kujtimet e tij në vitin 1925. Thuhet se vdiq pa shkruar pjesën tjetër.

Kalojmë te një vëzhgues tjetër i kohës. Dr. Dhimitër Pasko qe një student i ri në vitet ’30. Ai botoi një studim, jo kujtime, mbi themelimin e Bankës Kombëtare të Shqypnis, një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e politikës shqiptare. Aty ai gjen një dokument që paraqet një Eqrem Bej Vlora si banor i Romës dhe si njeriu që përdori emrin e tij për të grabitur nga pronësia e shqiptarëve aksionet në bankën e shtetit që i takonin në bazë të marrëveshjes.

Nuk e dimë nëse po flasim për të njëjtin Eqrem, atë të kujtimeve dhe atë të bankës. Por besoj se ky është një shembull kuptimplotë i defektit të kujtimeve si mjet për njohjen e historisë. Ai Eqremi që del nga dokumentet e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqypnis ka bërë pak a shumë atë që sot e bëjnë kompanitë Ofshore, kompani të regjistruara nëpër vende të largëta për të paraqitur një vjedhje si një investim dhe fitim i ligjshëm. Ai i ka të gjitha të drejtat t’i paraqesë shqiptarët e zakonshëm si hajdutë injorantë të një govate druri të pavlerë dhe njëkohësisht të fshehë çfarë ka bërë vetë. E vetmja mënyrë për të shkruar historinë në këtë rast është ajo e analizimit të arkivave. Por kush ka kohë të merret me punë të tilla…

Ecim përpara në kohë te ngjarjet që filluan më 26 tetor 2013 dhe mbaruan me një festë të madhe më 15 nëntor. Tri javë shumë intensive. Përpjekja e parë për shkrimin e një fabule historike vetëlavdëruese u bë nga Kryeministri Edi Rama në një fjalim përplot lot e qurre që i dha fund edhe vetë ngjarjes. Rama tha se po përpiqej të shpëtonte botën, se qe i keqkuptuar, se populli qe i sinqertë, por i manipuluar etj. Nuk ka pse të merremi gjatë me fjalimin e Ramës.

Fakti është që shkrimi i historisë përmes dëshmive të protagonistëve ka këtë problemin e krijimit të narrativës sipas interesit të dëshmitarit. Tani del libri i Carlo Bollino-s, i cili përpiqet ta përforcojë dhe ta bëjë më bindës fjalimin e Ramës. Libri merr menjëherë vëmendje, trajtohet sikur të qe libri i historianit më të madh të shekullit. Dëshmitarët aty nuk janë as me emër. Ata përmenden si dëshmitari K., person pranë institucionit Q. Libri duket se ka disa argumente që synon t’i japë me forcë, të gjitha në shërbim të një narrative të caktuar.

1. Pse u zgjodh Shqipëria? Përgjigje: Sepse amerikanët po testonin një teknologji shumë sekrete dhe dëshironin ta përdornin këtë teknologji në një vend shumë-shumë mik.

2. A po ndiqte Rama interesin e vet politik apo interesin e popullit? Përgjigje: Rama po ndiqte interesin e popullit, por u keqkuptua.

3. Pse u hesht? Qe paksa gabim, por gjithsesi kjo qe përgjegjësi e panikut.

4. Çfarë roli mbajti media? Ajo dezinformoi dhe përhapi panik, veçanërisht media sociale.

Pra kemi një libër të tërë që përpiqet të argumentojë (në mënyrë krejtësisht joshkencore) që shqiptarët e nëntorit, qenë si ata të Eqrem Bej Vlorës, injorantë, që në rastin konkret, e dinë se çfarë është Shqipëria, por nuk e dinë se çfarë është diplomacia e madhe e botës, rëndësinë e sekreteve të industrisë ushtarake apo gjeopolitikën e madhe. Thashethemet, d.m.th. shkëmbimi i informacionit jashtë mbikëqyrjes së rreptë të propaganduesve të qeverisë, janë të dëmshme. Populli është një turmë që nuk e di se çfarë është e mirë për veten.

Këto janë që të gjitha argumente që tregojnë se sa pak respekt ka elita aktuale për demokracinë. Të drejtën e popullit për të zgjedhur, në rastin konkret, pro apo kundër armëve kimike, e paraqesin si një gjemb, i cili duhet të lëmohet mirë e mirë, e në rast se nuk përkulet, duhet të ngulet në prapanicën e popullit. Kjo gjë nuk ndodhi nëntorin e kaluar. Tani përpjekjet janë si ta bëjnë të duket sikur e hëngri populli.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA