Dhunohet zyrtari i FSHF-së

15/03/2014 00:00

Dhuna rikthehet sërish në Superligën shqiptare. Këtë herë gjestet antisportive kanë ndodhur në Ballsh, ku pas ndeshjes Bylisi-Laçi, presidenti i skuadrës vendase, Besnik Kapllanaj, ka goditur delegatin e sfidës, Besnik Çela.

Shefi i sektorit të garave në FSHF, Çela, është dërguar në spitalin e Fierit ku ka marrë një mjekim më të specializuar.

“Është dëmtuar shumë në kokë, e goditi me karrike presidenti i Ballshit. Ishte një katrahurë që është turp për futbollin tonë. Pastaj edhe tifozët kaluan në dhunë dhe gurë”, tregon Stavri Nica, trajner i skuadrës së Laçit.

Trajneri Nica ka pohuar se policia në Ballsh nuk e ka bërë punën ashtu siç duhej, ndërkohë që vetëm me ardhjen e forcave nga Fieri kanë arritur të dalin të gjallë nga stadiumi i Ballshit.

“Policët ishin më shumë të trembur sesa lojtarët tanë. Përfundimisht ne dolën pasi erdhën forca të shumta nga Fieri. Pastaj na përcollën me gurë ndaj xhamave të autobusëve, por shyqyr që dolëm të gjallë nga Ballshi”, vijon Nica tregimin.

Në fund të ndeshjes, skuadra e Laçit ka fituar edhe një 11-metërsh, por Vuçaj e ka goditur topin jashtë portës kundërshtare duke mos i dhënë fitoren skuadrës së tij.

“Nuk ishte në gjendje ta çonte topin tek zona e penalltisë pasi i vinin gurët nga stadiumi. E dinim që ishte e pamundur që ai 11-metërsh të kthehej në gol”, thotë më tej Nica.

Ndërsa Mario Nikolli, zëdhënës i skuadrës së Laçit, ka thënë: “Goli nuk u bë me urdhër të presidentit. Ka qenë ai që s’ka dashur të përkeqësonte situatën, pasi në rast goli ajo do precipitonte në dhunë nga ana e tifozëve”.

Top Channel