
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që të revokojë vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë, duke përfshirë këtu Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Në rrjetin social Facebook, zoti Thaçi ka deklaruar se: “Nga rritja e pagave prej 25% do të përfitojnë shërbyesit e tjerë civilë dhe punonjës të shtetit. Nga ky revokim do të kursehen rreth 5 milionë euro”.
Kryeministri ka shtuar se këto mjete financiare do t’i dedikohen kurimit të fëmijëve kosovarë që vuajnë nga sëmundje të rënda, si kanceri apo leuçemia, trajtimi i të cilave është shumë i kushtueshëm dhe i papërballueshëm për shumë familje kosovare.
Vendimi për rritjen e pagave u mor nga qeveria e Kosovës më 10 mars dhe hyn në fuqi nga muaji prill. Një ditë më parë vendimi i qeverisë u diskutua nga Kuvendi i Kosovës, me deputetët e opozitës dhe kryetarin Krasniqi që e kundërshtuan atë, duke e cilësuar një farsë dhe një vendim elektoral.
Top Channel