
Në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë para fillimit të fundjavës së Cmimit të Madh të Australisë, garës së parë sezonale të Formulës 1, u vu re se pilotët janë të gjithë të bindur se vetëm gjysma e tyre do të jenë në gjendje të përfundojnë garën e së dielës.
Kur u pyetën nga gazetarët, Alonso tha 16 pilotë do presin vijën e finishit, Vettel 12, Hamilton 15 dhe Massa 12. Vetëm debutuesi Magnussen dhe i riu Ricciardo thanë që garën do e përfundonin të gjithë, por dukej se kjo ishte vetëm një dëshirë e tyre dhe jo një mundësi reale.
Duke parë rezultatet e testimeve parasezonale, ka shumë pak skuadra që janë në gjendje të përfundojnë një garë të plotë. Simulimet e garës të bëra nga skuderitë kanë qenë të pakta dhe pothuajse të gjitha me probleme.
Në këtë situatë, FIA është gati për çdo eventualitet të mundshëm, madje edhe për mundësinë e braktisjes së garës nga të gjitha makinat. Drejtori i garës, Charlie Whiting, e di shumë mirë që me rregullat e reja garat do të zgjasin minimumi 2 orë dhe ka thënë që nëse do të ketë shumë probleme, atëherë gara do të ndalet para përfundimit të saj.
“Duke njohur skuderitë pjesëmarrëse, nuk mendoj se mund të ndodhë një skenar i tillë, por nëse ndodh, gara do të ndalet për të rinisur pas zgjidhjes së problemeve”, tha Whiting.
Top Channel