
Fernando Alonso përfundoi i treti në provat e lira të Cmimit të Madh të Australisë dhe u shpreh i kënaqur me ditën e parë të fundjavës së garës në Melburn.
“Po nis një kampionat i ri dhe të gjithë presim të shohim gjendjen ku jemi dhe rezultatet e punës gjatë dimrit. Në përgjithësi, për ne ishte një ditë pozitive ku gjithçka shkoi mirë”, tha piloti i Ferrarit.
Spanjolli vuri theksin sidomos tek fakti që makina e tij nuk pati asnjë problem mekanik: “Skuadra punoi mirë dhe nuk patëm asnjë problem.”
Ndërsa piloti tjetër i Ferrarit, Kimi Raikkonen, pranoi se pati disa probleme të vogla në një ditë ku regjistroi kohën e shtatë më të mirë.
“Kemi shumë punë për të bërë në mënyrë që të zgjidhim problemet e vërejtura dhe të përmirësohemi në kuadër të provave zyrtare. Ishte një ditë intensive pasi hasëm në vështirësi, edhe pse e plotësuam programin që kishim parashikuar”, tha finlandezi.
Provat zyrtare do të zhvillohen ditën e shtunë në orën 07:00, ndërsa gara ditën e dielë, po në të njëjtën orë. Të dyja këto evente mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.
Top Channel