Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel tha se do të ishte e gabuar të bëheshin paralelizma mes rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Engel tha se Krimea është një rast krejt i ndryshëm nga Kosova, sepse në Kosovë bëhej fjalë për një popullsi që duhej shpëtuar.

“Në Kosovë ishte e qartë se bëhej fjalë për një histori të tmerrshme shtypjeje serbe kundër një shumice shqiptare. Atje pati një përpjekje nga diktatori serb i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç për të spastruar etnikisht Kosovën nga të gjithë qytetarët e saj shqiptarë, që përbënin 95 për qind të popullatës. Ne nuk deshëm të lejonim spastrimin etnik ose genocidin, prandaj NATO nën drejtimin e presidentit Clinton ndërmori një fushatë bombardimesh për t’i nxjerrë serbët nga Kosova. Kjo fushatë përfundoi me sukses dhe ne shpëtuam jetë të panumërta njerëzish”, tha Engel.

Zoti Engel vlerësoi se rasti i Kosovës është i ngjashëm me atë që po ndodh sot në Siri. “Unë do ta krahasoja Kosovën me Sirinë. Atje kemi një popullatë civile të rrezikuar dhe është e tmerrshme që komuniteti ndërkombëtar në një farë mënyre po i kthen shpinën Sirisë”, nënvizoi kongresmeni.

Sa i përket Krimesë, Engel tha se presidenti Vladimir Putin po tregohet agresiv dhe po përpiqet të aneksojë një pjesë të një vendi tjetër, nën pretekstin se shumica e popullsisë në Krime, që është rusishtfolëse, ka nevojë të jetë e lirë, apo se asaj po i shkelen të drejtat në një farë mënyre.

“Kjo është gënjeshtër. Zoti Putin duhet të tregohet i kujdesshëm, sepse në Rusi ka shumë rajone të trazuara si Çeçenia, që dëshirojnë të shkëputen. Nëse kjo fillon, atëherë nuk dihet se ku mbaron”, tha zoti Engel.

Top Channel