Kavaja i bashkohet qyteteve më të mëdha në vend të cilat tashmë kanë një
zyrë punësi të rikonstruktuar e cila do të jetë më eficente në shërbim
të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama pa nga afër ambientet e kësaj zyre duke u lënë këtë porosi stafit të saj. “Njerëz që kërkojnë punë keni sa të duash, e rëndësishme është që këtyre që ofrojnë punë t’ua bëjmë të ditur dhe të bëjmë çmos që të marrim sa më shumë informacion që t’ia përcjellim dhe vëmë në dispozicion punëkërkuesve në mënyrë që të rrisim sa më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme fuqinë e këtij pikëtakimi të ri”.

Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, tha kryeministri Rama,  ne i shikojmë si pikëtakime mes sipërmarrjes private dhe shtetit, duke lehtësuar ndërmjetësimin. Duke e quajtur një fillim të mbarë funksionim e zyrave të punës të hapura deri tani në disa qytete, kjo nuk mjafton, tha Rama, i cili deklaroi disa shifra.

“Këtu në Kavajë ne kemi edhe një të dhënë tjetër, që është e rëndësishme të nënvizohet, 2 855 gra dhe vajza të papuna që kërkojnë punë. Shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh.Punëdhënësi më i madh padyshim është sipërmarrja private. Në vetëm një muaj tre zyra pune të sapoçelura kanë ndërmjetësuar dhe mundësuar punësimin e 1055 peronave, ndërkohë i gjithë rrjeti punësimit kombëtar i punësimit në Shqipëri vitin e kaluar ka arritur të ndërmjetësojë për rreth 600 vetë. Kemi një mesatare të përditshme prej 3 mijë vendesh pune në dispizicion në këto tre pikëtakime, të cilëve u shtohet edhe ky pikëtakim i katërt”, tha Rama.

Ndërtimin e një zone industriale, e cila do të shërbejë si një platforme për të zhvilluar investimet në industrinë e fasonëve, sipas Kryeministrit do të ulë ndjeshëm papunësinë në Kavajë.

Ministri Veliaj e quajti hapjen e kësaj zyre të re punësimi, si një dritare të shumë mundësive. Ndërse Luan Bregasi, president i ‘Bussines Albania’ u shpreh se të tilla zyra rregullojnë tregun e punës dhe kthehen në një ndihmë të madhe për punëdhënësit.

Sipërmarrësit prodhues: Kemi nevojë për specialistë

Pas inaugurimit të kësaj zyre punësimi, Erion Veliaj, ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë vizitoi një fabrikë prodhimi dyshekësh për tregun e huaj dhe atë kosovar, pronari të cilës shprehu nevojën e punonjësve të kualifikuar.

“Ne na duhen specialistë të mirëfilltë për prodhimin e sfungjerit”, thotë një sipërmarrës.

“Prandaj po i hapim edhe këto degët e arsimit profesional, me qëllim që të futen në punë aty ku duhet, sepse juristë ka plot”, tha Veliaj.

Top Channel