
Ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen të premten në Rashkë, për të diskutuar rreth gërmimeve në varrezën masive.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare. Në varrezën në fjalë u zbuluan mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gërmimet ishin ndërprerë për shkak të kushteve të këqija të motit dhe festave të fundvitit, por edhe nga qëndrimi armiqësor i Serbisë, që nuk lejonte ekspertët të gërmonin.
Ndërkohë, në komisionin qeveritar për personat e pagjetur të enjten u diskutuan përgatitjet dhe hapat e mëtejshëm për rastin e Rashkës.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e vuri theksin tek shqetësimet për mungesën e një zgjidhjeje të plotë për këtë çështje, ndërsa përsëriti përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Top Channel