PD: Nxënësit dekor për Ramën. Reagon PS

13/03/2014 00:00

Opozita akuzoi Qeverinë se ka urdhëruar drejtuesit e shkollave që të
nxjerrin në rrugë në mënyrë të organizuar nxënësit e shkollave, që edhe
pse në një ditë pushimi zyrtar, të bëjnë dekorin e aktiviteteve që ka
organizuar Qeveria me rastin e Ditës së Verës.

“Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar shkollat në Tiranë që të thërrasin nxënësit nesër, edhe pse është pushim zyrtar, në mënyrë që t’i shfrytëzojë ata politikisht për aktivitetin që ka planifikuar të bëjë në Ditën e Verës.Edi Rama po shkel dhe një nga premtimet e tij elektorale, më të zëshmin nga ato, kur përbetohej se nxënësit dhe shkollat nën qeverisjen e tij nuk do të shfrytëzoheshin politikisht.Por kjo mbetet një përpjekje mjerane, pasi opinion publik, dhe gjithë shqiptarët e dinë se në këtë ditë vere, Edi Rama gjendet në dimrin e tij të vetmisë së madhe, pasi ka hequr dorë nga premtimet elektorale, ka dështuar në krijimin e vendeve të punës, ka krijuar papunësi duke shkarkuar masivisht punonjësit e administratës dhe duke i detyruar bizneset të shkurtojnë stafet e tyre, ka humbur shansin historik të marrjes së statusit, dhe ka shkaktuar dhe shkakton vazhdimisht konflikt politik e social në vend”, tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

Nderkohe Partia Socialiste reagoi duke thene se nuk ka asnje urdher te tille dhe se deklarata e PD-se edhe e pavertete.

“Jemi të befasuar nga deklarata e Partisë Demokratike, duke qenë se prisnim që opozita ta përgëzonte Qeverinë për organizimin e një aktiviteti të tillë. Përgëzimet duhet të vinin për më tepër edhe në kushtet kur bashkia e Tiranës i ka vënë kyçin aktiviteteve dhe punëve të kryeqytetit, sepse ish-kryetari e ka dërguar kryetarin aktual të bashkisë për t’u marrë me punët e SHQUP-it. Nesër nuk ka një vendim për të hapur shkollat, nuk ka një vendim për të nxjerrë nxënësit e shkollave dhe për t’i çuar në aktivitetet e qeverisë, përkundrazi opozita e sotme, mazhoranca e djeshme, e ka ende të freskët kujtimin kur çdo aktivitet qoftë për festë a për miting partiak e mbushte me nxënësit e shkollave, të cilët i nxirrte në rreshtore, i largonte nga dita e zakonshme e dijenxënies dhe i bënte dekor të fjalimeve bajate të zyrtarëve të partisë asokohe në pushtet”, tha deputetja e PS-së, Olta Xhacka.

Top Channel