
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka hedhur poshtë krahasimet që autoritetet ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, kanë bërë mes Krimesë dhe Kosovës.
“Situata në rajonin e Krimesë të Ukrainës nuk mund të krahasohet me rastin e Kosovës në Ballkan”, deklaroi Merkel gjatë një fjalimi në Parlamentin e Gjermanisë.
Më tej kancelarja akuzoi Rusinë se, në vend që të veprojë si partnere për zgjidhjen e krizës së Ukrainës, ajo punon për të shfrytëzuar dobësinë e fqinjit të vet.
“Integriteti territorial i Ukrainës nuk mund të vihet në pikëpyetje”, tha Merkel, e cila së fundmi ka shprehur disa herë mbështetjen e saj ndaj opsionit të sanksioneve ndaj Moskës.
Autoritetet ruse disa herë kanë krahasuar situatën në Krime, e cila pritet të mbajë një referendum për pavarësi nga Ukraina, me atë të Kosovës.
Krahasimet janë bërë nga vetë presidenti Putin, me argumentin se, kur një gjë të tillë e bëri vendi ballkanas, përse të mos e bëjë edhe gadishulli me shumicë ruse.
Deklarata e tij u pohua edhe nga ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Leonid Abramov, në një intervistë dhënë për Top Channel më herët gjatë muajit.
“Presidenti Putin kujtoi gjatë konferencës për shtyp edhe historinë e popullit të Kosovës, që në kushtet e sigurisë së arritur ka arritur të shprehë vullnetin e vet. Në rast se ndodhi njëherë kështu, pse mos të përsëritet kjo praktikë”, tha ai.
Top Channel