F1, Hamilton: Objektivi? T’i lëmë pas të gjithë

13/03/2014 00:00

Lewis Hamilton deklaroi në konferencën e shtypit para garës së parë sezonale që do të zhvillohet në Melburn të Australisë se objektivi i tij është që së bashku me shokun e skuadrës tek Mercedesi, gjermanin Nico Rosberg, të lënë pas të gjithë pilotët e tjerë.

Mercedesi është skuderia që është paraqitur më mirë në testimet parasezonale dhe është favoritja për fitoren e garës së parë sezonale sipas ekspertëve.

“Nuk ka rëndësi kush fiton nga ne të dy. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë gara ku Nico do jetë para meje dhe do të ketë të tjera ku unë do të jem para tij. Por, objektivi ynë është të zëmë vendet e para në çdo garë”, tha kampioni i Formulës 1 në vitin 2008.

Për Hamiltonin, makina e sezonit të kaluar ishte më e rehatshme për pilotët, sidomos për faktin që kishte më shumë fërkim me asfaltin.

“Ishte një makinë që kishte 4 vite që po zhvillohej, ndërsa tani jemi në një fazë të re dhe duhet të mësohemi”, shpjegoi britaniku, i cili mendon se Williams do të jetë një nga favoritet për fitoren e garës së parë.

Top Channel