F1, Alonso: Nuk e dimë sa kompetitivë jemi

13/03/2014 00:00

Fernando Alonso deklaroi se është e vështirë të thuhet sa kompetitive do të jetë Ferrari në sezonin që do të fillojë këtë fundjavë me Cmimin e Madh të Australisë.

“Tani nuk mund të flitet për nivelin që do të tregojmë. Do të jemi pak më të qartë në 24-48 orët e ardhshme”, tha spanjolli në konferencën e shtypit para garës së parë sezonale.

Alonso shtoi se makinat dhe teknologjia e re e futur në këtë sezon “janë të komplikuara për të gjithë pilotët”.

“Po punojmë çdo ditë për të kuptuar sa më shumë atë që na pret. Duhet të maksimizojmë atë që kemi dhe të japim maksimumin tonë”, shtoi dy herë kampioni i Formulës 1.

Kur u pyet për ndryshimin në provat zyrtare, ku sesioni i fundit (Q3) do të zgjatet dhe do të përdoren goma që nuk do të jenë domosdoshmërisht ato me të cilat do të nisen pilotët në garë, Alonso tha që “nuk do të jetë një ndryshim i madh”.

“Do të bëjmë të gjithë nga një xhiro më shumë. Ky do të jetë ndryshimi i vetëm”, tha Alonso.

Top Channel