
Gjykata e Mynihut në Gjermani ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg presidentin e Bayern, Uli Hoeness, i akuzuar për evazion fiskal.
Ditën e djeshme avokatët mbrojtës të padronit të klubit Bavarez pranuan evazionin e kryer prej tij që arrin shifrën e 27 milionë eurove.
Hoeness, që u vetëdenoncua, shpresonte në mundësinë e shmangies së sanksioneve penale, në linjë me kuadrin normativ gjerman.
Por në rastin e tij, akuza nuk e konsideroi të vlefshëm vetëdenoncimin, duke pretenduar se ishte bërë pas interesit në rritje të medias.
Ish-kampioni i botës, aktualisht 62 vjeç, i kishte mbajtur kapitalet e tij në një llogari sekrete bankare në Zvicër. Mbrojtja dhe akuza tani kanë një javë kohë për të apeluar vendimin.
Prokurorët kishin kërkuar fillimisht 5 vjet e gjashtë muaj burg, por që u ul me 2 vjet. Fillimisht Hoeness u akuzua për 3.5 milionë euro evazion në taksa, por më vonë ai pranoi se kishte shmangur detyrimet edhe për 15 milionë të tjera, që më vonë, me nisjen e procesit arritën në 27.2 milionë.
Hoeness, që ndihmoi Gjermaninë të fitonte Evropianin 1972 dhe dy vjet më vonë Botërorin, e zbuloi ekzistencën e llogarisë sekrete vitin e kaluar, pasi plotësoi një normativë për kthimin e taksave, me shpresën se në këmbim do të fitonte amnistinë për to.
Top Channel