Versioni i ri i “Varkës së Noes”

12/03/2014 00:00

“Varka e Noes” do të rikthehet në ekran me një tjetër variant, tjetër këndvështrim, një kast tepër të vlerësuar aktorësh e, padyshim, efektet speciale, që e bëjnë përjetimin tmerrësisht real.

Premiera e “Noes” pritet me padurim në mjaft vende të botës, por tri shtete arabe kanë vendosur ta ndalojnë filmin e “Paramount Pictures”, për arsye – siç thonë – fetare dhe disa të tjerë pritet të ndjekin shembullin e tyre.

Islami e ndalon përfaqësimin e figurave të shenjta në art dhe përgjate viteve të fundit, karikaturat e Profetit Muhamed në median europiane e atë amerikane kanë shkaktuar protesta të dhunshme në vendet islamike, vdekjen e disa personave dhe nxitjen e tensioneve kulturore me Perëndimin.

Nga sqarimet e përfaqësuesit të “Paramount Pictures”, Katari, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, konfirmuan zyrtarisht se filmi 125 milionë dollarësh me Rusell Crowe dhe Anthony Hopkins, fitues të çmimeve “Oscar” në role kryesore, nuk do të lejohet në asnjërin prej tyre.

“Noe”, që sipas Dhjatës së Vjetër ndërtoi një varkë, e shpëtoi familjen e vet dhe shumë kafshë nga përmbytje apokaliptike, është një figurë biblike e nderuar prej judaizmit, krishterimit dhe vet islamit, madje Kurani përmban një kapitull kushtuar atij.

Por, instituti “Al Azhar” i Kajros, autoriteti më i lartë i islamit sunit dhe qendër e rëndësishme e mësimeve islamike prej më shumë se një mijëvjeçari, lëshoi një “fatva”, apo vendim ligjësor fetar, kundër filmit të Darren Aronofsk-it.

“Pasioni i Krishtit”, nga ana tjetër, filmi i shumëdiskutuar i Mel Gibson mbi kryqëzimin e Jezusit, u transmetua gjerësisht në botën arabe në 2004-n, edhe pse pati disa kundërshtime prej klerikëve muslimanë.

Trajleri zyrtar i Noes paraqet një burrë robust, që vërtit sëpata e grupe mëkatarësh të rrethuar nga gejzerë, të cilët shpresojnë të ngjiten në varkën e stërmadhe, dhe duhet thënë se ka shkaktuar jo pak polemika edhe brenda kufijve amerikanë. Premierën e tij në kinematë botërore, filmi do ta ketë në datën 28 Mars.

Top Channel