
Të shumtë janë minatorët e Trepçës të cilët përshkojnë çdo ditë rrugën drejt horizontit të dhjetë të minierës, por për kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kjo ishte hera e dytë.
I shoqëruar nga bashkëpunëtorë, Thaçi zbriti në thellësi 700 metra nën tokë, kësaj radhe për të ndjekur nga afër punën e pse jo edhe për të përjetuar mundin e minatorëve, puna e të cilëve dikur ishte bartës i fuqishëm i zhvillimit ekonomik në Jugosllavi.
Kryeministri vjen këtu pak ditë pasi qeveria e tij miratoi projektligjin për ndërmarrjet publike, sipas të cilit Trepça nga pronësia e AKP-së i kalon shtetit.
Minatorët tregojnë se aktualisht puna për nxjerrjen e mineraleve është e fokusuar në punishten 140, e cila përfshin një hapësirë prej 2.600 metra katrorë. Është kjo zona në të cilën Thaçi ndaloi për të përçuar mesazhin e tij, se Trepça do t’i takojë Kosovës, qytetarëve dhe minatorëve të saj. Ai theksoi se ëndrrat e Serbisë mbi Trepçën janë shuar dhe sërish premtoi rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e Trepçës brenda këtij viti.
“Kjo do të jetë pronë e minatorëve dhe qytetarëve të shtetit. Do të kemi më tepër prodhim, me tepër zhvillim dhe krijim të vendeve të punës. Gjithë qytetarët e Kosovës në kohë i kanë rezistuar politikës që Trepça të punonte dhe Beogradi të ndërtohej, tani është koha që Trepça të prodhojë dhe Kosova të ndërtohet. Politikat dhe ëndrrat e Serbisë janë shuar njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Thaçi.
Minatorët kujtuan se Trepça ka qenë e braktisur nga institucionet në periudhën e pasluftës. Ata shpresojnë se ligji i ri do ta vërë këtë ndërmarrje në binarët e duhur. Kryeministri Thaçi nuk pranoi të flasë më gjërësisht për të ardhmen e minierave të Trepçës.
Pyetjes së Top Channel rreth një agjencie të re që pritet të themelohet e të cilën e ka përmendur zëvendësi i tij Behgjet Pacolli, kryeministri iu përgjigj në këtë mënyrë. “E ardhmja e Trepçës është e ardhmja e Kosovës. Prodhim, zhvilim dhe krijim të vendeve të reja të punës”, tha Thaçi.
Projektligji që ka të bëjë me të ardhmen e Trepçës si ndërmarrje që do të menaxhohet nga shteti pritet që shumë shpejt të kalojë proçedurat parlamentare që janë vendimtare për këtë.
Qeveria ka theksuar se ky hap është në përputhje me vizionin e saj, ku përmes krijimit të mundësive për zhvillimin e resurseve minerare dhe zgjerimit të modernizimit të industrisë së përpunimit minerar garantohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, hapje e vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Top Channel