Laburistët, pak gjasa për referendum

12/03/2014 00:00

Një qeveri e ardhshme laburiste në Britani pas zgjedhjeve të reja ka pak gjasa që të zhvillojë një referendum për anëtarësimin e mëtejshëm ose jo të Londrës në Bashkimin Evropan, deklaroi udhëheqësi laburist, 44-vjeçari Ed Miliband.

Kryeopozitari britanik, partia e të cilit është në krye të sondazheve si partia që do krijojë shumicën në Parlamentin e ardhshëm, tha se ai do të zhvillojë referendum vetëm në rast se më shumë kompetenca do të transferoheshin nga Londra drejt Brukselit.

Ndërkohë, kryeministri aktual ka deklaruar se ai po përpiqet të arrijë një marrëveshje me udhëheqësit  evropianë, përpara se të mbajë refendumin për daljen ose jo nga Bashkimi Evropian në vitin 2017.

”Unë deklaroj se qeveria e re laburiste do të sanksionojë me ligj një kyçje të re, e cila do të garantonte se nuk do të kishte më transferim të ri kompentencash në Bruksel pa u vendosur një gjë e tillë me referendum”, tha Miliband.

Sipas analistëve, loja e liderit laburist është që fokusi dhe përçarjet në radhët e konservatorëve në pushtet për çështjen e Evropës do të bëjnë që votuesit britanik të largohet nga partia e kryeministrit Cameron në zgjedhjet e 2015-s. “E ardhmja e Britanisë është në Bashkimin Evropian”, deklaroi Miliband.

Ndërkohë, një sondazh i fundit në Britani tregon se për herë të parë shumica e britanikëve janë për qëndrimin e mëtejshëm në Bashkimin Evropian dhe jo për largimin prej tij.

Zgjedhjet e ardhshme për në Parlamentin Evropian do jenë testi i parë i opinionit të britanikëve për çështjen e ndjeshme të Evropës, edhe pse apatia elektorale në zgjedhjet evropiane tashmë dihet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB