
Mbi 800 mijë euro është shuma që këtë vit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit jep për projekte kulturore. Në projektet që lidhen me fushën e kinematografisë shuma totale e subvencionimit është 130 mijë euro.
Përfitues janë festivalet “DOKU Fest” me 20 mijë euro, “PriFilm Fest” me 22 mijë euro, “SkenaUp” me 15 mijë euro, “Shqip Film Fest” me 10 mijë euro dhe “Nine Eleven” me 10 mijë euro.
Për teatrin, MKRS ka ndarë mbi 144 mijë euro. Këtu përfshihet 10 mijë euro për shtatë teatrot e qyteteve në Kosovë, si dhe për Teatrin ODA. Ndërsa për Festivalin ‘Etno Fest’ janë ndarë 15 mijë euro.
Në fushën e arteve vizuale janë mbështetur projekte që në tërësi kapin vlerën prej rreth 104 mijë euro. Mbi 64 mijë euro janë ndarë për projekte të ndryshme që ndërlidhen me promovimin kulturor.
Në kategorinë e projekteve letrare janë ndarë mbi 70 mijë euro. Bazuar në Ligjin për Bibliotekat, MKRS ka ndarë 30 mijë euro për pasurimin fondit të librave edhe për 19 bibliotekat komunale në vend, si dhe bibliotekës së të verbërve “Syri Ynë” në Prishtinë.
Për promovimin e diversitetit kulturor, MKRS ka ndarë rreth 80 mijë euro për projekte kulturore të komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.
Në kategorinë e arteve muzikore janë ndarë mbi 160 mijë euro. Përfitues në këtë kategori janë Shoqatat e Kompozitorëve të Kosovës dhe festivalet tradicionale në vend.
Në dallim nga viti i kaluar, mbështetja rritet për rreth 200 mijë euro. Në këtë konkurs, në të gjitha kategoritë kanë aplikuar mbi 500 projekte prej të cilave janë përkrahur financiarisht rreth 300.
Top Channel