ANDREA STEFANI – Një nga tiparet më të qenësishme të autokratizmit
berishian është kapja e institucioneve të pavarura të shtetit për t’i
vënë në shërbim të klanit të Sali Berishës.
Dhe e vërteta është se duke përdorur një larmi mjetesh e taktikash, si tiraninë e shumicës apo ndryshimet e Kushtetutës të bëra në vitin 2008, Berisha ia arriti të pushtojë një numër institucionesh kyçe të shtetit të projektuara për të qenë të pavarura, duke vendosur delfinë të tij në krye të tyre. Edhe për pak dhe Berisha do kishte arritur kapjen e plotë të shtetit duke bërë të mundur atë që lakmon prej 23 vjetësh, sundimin absolut në të. Por 23 qershori ia shkatërroi llogaritë dhe rihapi shansin për demokracinë liberale në Shqipëri. E bashkë me të edhe për integrimin europian. Por shansi nuk është vetë demokracia. Ashtu sikundër rënia e autokratit nga pushteti, nuk është edhe rënie e autokratizmit që ruan ende metastazat e tij në shtet. Përballja me autokratizmin si tendencë vazhdon. Dhe ky është thelbi i debatit të sotëm politik veçori e të cilit, janë pikërisht qarjet e autokratizmit të rrëzuar, për kapjen nga qeveria të institucioneve të “pavarura”, por që mbeten ende të varura prej tij.
***
Rënia e pushtetit të Berishës nuk mund të shoqërohej automatikisht edhe me rënien e projektit autokratik të tij. Rrjedhojë e natyrshme kjo e rrëzimit të një autokrati me votë. Berisha po vazhdon me këmbëngulje projektin e tij autokratik, sepse ka dorëzuar pushtetin, por jo “shtetin” institucionet e të cilit, i mban fort duart e tij. Dhe një pushtet nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk çliron shtetin nga autokratizmi dhe nga korrupsioni që fshihet pas tij.
***
Kapja autokratike e shtetit, si një mendësi dhe ambicie e pafjetur e Berishës, është denoncuar që në nisje të tranzicionit, përveç të tjerave, edhe nga institucione dhe figura të diplomacisë perëndimore. Qysh në vitin ’97, Malkolm Rifkind, atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë, ka qenë i detyruar të kërcënojë se do ndërpresë ndihmat për Shqipërinë në shenjë proteste ndaj sjelljes diktatoriale të Berishës. Edhe vite më pas, kur Berisha u rikthye në pushtet, raportet e ndërkombëtarëve nuk kanë lënë pa nënvizuar tendencat e tij autokratike. Por si për paradoks, sa më shumë Shqipëria bënte hapa formalë në rrugën e integrimit me Perëndimin, aq më shumë shtonte Berisha përpjekjet për kapjen e shtetit. Me kalimin e viteve epshit për sundim iu shtua edhe nevoja për të penguar drejtësinë në ndëshkimin e korrupsionit të qeverisjes së tij. Nuk është rastësi që menjëherë pas pranimit të Shqipërisë në NATO ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, informonte Uashingtonin se “…Berisha ka ndërmarrë një numër përpjekjesh për konsolidimin e pushtetit të tij në dëm të institucioneve kyçe përfshi përpjekjes për të penguar dhe ndërhyrë në punën e Prokurorit të Përgjithshëm, për të shkatërruar hetimet mbi shpërthimin e marsit në Gërdec, për të marrë kontroll më të madh mbi Shërbimin Informativ, si dhe për të heshtur median e lirë”. Tendenca që u shfaqën edhe pak vite më vonë një brutalitet dhe arrogancë diktatoriale edhe në obstruktimin e hetimeve për masakrën e 21 janarit.
***
Më rënien e Berishës nga pushteti duket sikur harrohet që rrjedhojat e kësaj strategjie të kapjes së shtetit, nuk eliminohen vetiu dhe lehtësisht. Sepse ata që janë emëruar prej Berishës në krye të institucioneve të shtetit, nuk kanë pasur as predispozitën dhe as aftësinë për t’u sublimuar në mënyrë që t’i shërbejnë shtetit demokratik dhe jo planeve të Berishës kundër këtij shteti. Sot kuptohet qartë se kur këmbëngulte, madje edhe kundër vullnetit të ndërkombëtarëve, për të zgjedhur pa konsensus me opozitën një delfin të vetin në krye të institucionit të Presidencës së Republikës, Berisha duket llogariste edhe opsionin më të vështirë për të, atë të kalimit në opozitë. Kalkulonte që institucionet e pavarura të shtetit, më saktë drejtuesit e tyre, t’i shndërronte në bastione kundër qeverisë “Rama”. Kjo strategji e kapjes së shtetit ka bërë që sot Berisha të jetë Presidenti real i Republikës. Ashtu siç është kryetar real i PD edhe pse në krye të saj ka vënë një kostum si Basha. Jo vetëm nga prejardhja e tij politike si një besnik fanatik i Berishës, por mbi të gjitha nga ato që thotë dhe bën, si dhe nga ato që nuk thotë dhe nuk bën, Presidenti Bujar Nishani, po provon së mbetet një kukull e Berishës. Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e tij mbajnë damkën e vullnetit të Berishës dhe jo të vullnetit publik të mpiksur në Kushtetutë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për institucione të tjera si Shërbimin Informativ Kombëtar apo edhe deri tek organi rregullator i mediave (AMA) drejtuesit e të cilëve Berisha po i mbron gjoja në emër të mbrojtjes së institucioneve të “pavarura”. E njëjta gjë mund të thuhet për jo pak gjyqtarë, dhe jo vetëm nga ata të dalë prej inkubatorit të kursit të plepave. E njëjta gjë mund të thuhet për jo pak nga të emëruarit në administratën publike gjatë 8 vjetëve të qeverisë “Berisha” pas përzënies së mijëra të majtëve. Dhe pikërisht se janë punësuar padrejtësisht duke përzënë të tjerët, jo pak nga këta nëpunës janë të mbushur me dashuri shpërblyese për Berishën dhe jo me devocionin për t’i shërbyer publikut që duhet të karakterizojë ç’do nëpunës që paguhet me taksat e publikut dhe jo me paratë e Berishës. Metastazat e pushtetit autokratik berishist kapilarëzohen kudo nëpër shtet edhe tani që ky pushtet ka rënë. Berisha po e lufton, po e obstrukton punën e qeverisë “Rama” edhe me “shtet”, me gjykata, apo edhe me SHISH.
***
Për shkak të disa gabimeve taktike të opozitës së djeshme lidhur me “3 ligjet” e famshme, Berisha ka mundur ta shndërrojë, hëpërhë, ligjin e nëpunësit civil në koracë ligjore të militantizimit që i pat bërë administratës publike. Por koha nuk punon për të. Sepse ashtu si ai po përdor ligjin për të mbrojtur një padrejtësi, po ashtu edhe shumica e sotme mund të përdorë ligjin për të rivendosur drejtësi. Një lajm i mirë është çlirimi nga kapja autokratike e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive (ILKPDKI), një institucione kyç në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, korrupsion që po kalb shtetin. Është mjaft inkurajues për luftën kundër korrupsionit, iniciativa e kreut të ri të ILKPDKI për investigimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit që nga viti 2003. Por pikërisht, shkarkimin e kreut të ILKPDKI që shihet se ka fjetur gjumë mbi deklarimet e pasurive të zyrtarëve, Berisha e paraqet si sulm mbi institucionet e “pavarura”! Largimin e shërbëtorëve të tij nga drejtimi i institucioneve të shtetit, Berisha po përpiqet t’i paraqesë si rrëzim të institucioneve “të pavarura” që mbrojnë demokracinë. Të besosh një gënjeshtër të tillë propagandistike, që e përhapin edhe fanatikë të stazhionuar të Berishës edhe në Partinë Popullore Europiane, është të besosh se edhe autokratizmi apo autokrati mund të jenë të vlefshëm për demokracinë. Në 23 qershor vota masive rrëzoi autokratin. Tani është koha që shumica e re të çlirojë institucionet e shtetit nga metastazat e autokratit dhe autokratizmit.
Gazeta “Shqip”
Top Channel