Gaza, 30 raketa mbi Izraelin

12/03/2014 00:00

Militantët palestinezë në Rripin e Gazës kanë qëlluar mbi 30 raketa në jug të Izraelit, deklarojnë autoritetet izraelite.

Një zëdhënës ushtarak deklaroi se tetë prej tyre goditën zona urbane civile, ndërsa të tjerat u interceptuan në ajër nga sistemi i mbrojtjes Iron Dome.

Bëhet fjalë për sulmin më të rëndë që prej konfliktit të nëntorit 2012 në Gaza. Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik deklaroi se kishte qëlluar raketat në lidhje me vrasjen e tre militantëve nga një sulm ajror izraelit ditën e martë.

“Muxhahidinët tanë iu përgjigjën agresionit Zionist duke qëlluar dhjetëra raketa”, deklaroi lëvizja përmes një zëdhënësi. Duke folur për BBC, zëdhënësi shtoi:

“Raketat e qëlluara sot ishin një përgjigje ndaj pushtimit agresiv të bërë ndaj nesh dhe nuk do të thotë se marrëveshja për armëpushim ka rënë”.

Ndërkohë, një tjetër grup militant në Gaza, Komiteti i Rezistencës Popullore, deklaroi se edhe ai kishte qëlluar gjithashtu një seri raketash.

Vonë gjatë së mërkurës, sirenat e “kodit të kuq” kumbuan në Izrael, pasi militantët palestinezë qëlluan dhjetëra raketat nga veriu i Gazës, në një sulm të koordinuar, tha nga ana tjetër zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Peter Lerner.

Sipas tij, një nga raketat që ranë në zonat urbane shpërtheu pranë një pike karburanti, ndërsa një tjetër në afërsi të një biblioteke publike.

Top Channel