
FIFA i është përgjigjur Serbisë pas ankesës së Federatës Serbe për miqësoren mes Kosovës dhe Haitit, duke deklaruar se Kosova ka respektuar në tërësi kriteret.
Federata Serbe pas ndeshjes së 5 marsit i kishte dërguar një notë proteste FIFA-s, duke theksuar se Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka respektuar modalitetet e caktuara më 10 janar për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.
Por, FIFA përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Kosova i ka respektuar modalitetit. “Jemi të befasuar me ankesat që kemi marrë në letrën që po i referohemi. Në letrën tuaj thuhet se nuk është respektuar pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit. Në pikën e dytë thuhet se FFK-ja nuk mund të vendosë simbolet kombëtare (flamuri, emblema, etj) ose himnin kombëtar. Sidoqoftë, ata janë të lejuar të bartin emrin Kosova në fanella dhe yllin”, është thënë njoftimin e FIFA-s dërguar Federatës Serbe, një kopje e të cilës i është përcjellë edhe FFK-së, e cila ia ka shpërndarë medieve.
“Pas një shqyrtimi të detajuar të letrës tuaj dhe bazuar në raportin e të dërguarit të FIFA-s që vëzhgoi këtë ndeshje, mund t’ju konfirmojmë se delegati ynë siguron që pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit është zbatuar”, thotë FIFA.
FIFA sqaron se emblema e FFK-së, e vendosur në fanella, nuk dëshmon simbol kombëtar të Kosovës. “As FFK-ja e as FIFA në asnjë mënyrë nuk kanë shkelur marrëveshjen e 10 janarit”, thuhet në letrën e organizatës.
Top Channel