Gjykimet për krimet e luftës të supozuara në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty duhet të kryhen në territorin e Kosovës dhe sipas ligjeve të Kosovës dhe në çdo rast imazhi i luftës së UCK-së duhet të ruhet.

Ky është qëndrimi i qeverisë së Kosovës i prezantuar të martën para udhëheqësit të Task Forcës speciale për hetimin e akuzave të Dick Martyt, Clint Williamson, i cili po qëndron në Prishtinë. Williamson takoi autoritetet qeveritare, zëvendëskryeministrin  Hajredin Kuçi dhe ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi. Ndonëse takimi ishte i mbyllur për mediat, nëpërmjet një komunikate për media bëhet e ditur se Kuçi ka theksuar se qeveria e Kosovës do të ndihmojë drejtësinë dhe të vërtetën, por njëkohësisht ka kërkuar që të respektohet juridiksioni i Kosovës dhe në çdo rast të ruhet imazhi i luftës së drejtë.

“Republika e Kosovës ka ndërtuar kapacitetet e mjaftueshme në fushën e drejtësisë për të trajtuar çdo rast eventual. Institucionet e drejtësisë kanë rritur kapacitetet e domosdoshme, qoftë gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, ata të EULEX-it, të cilët me sukses mund të trajtojnë çështjet e drejtësisë dhe për këtë kërkoj që çdo gjykim eventual të mbahet në territorin e Republikës së Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës.”

Nga ana e tij, prokurori ndërkombëtar nëpërmjet një njoftimi për shtyp shprehu vendosmërinë për të kryer një hetim të paanshëm dhe të pavarur, i cili do të zbulonte të vërtetën që fshihet prapa pretendimeve serioze të raportit të Këshillit të Europës. Williamson citohet të ketë theksuar se është në interesin e përbashkët që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë: “Zoti Williamson theksoi se mandati i Task Forcës speciale hetuese është të hetojë dhe ndjekë penalisht individët të cilët janë përgjegjës për krimet e prenteduara  në raportin e Martit. Ai theksoi se është i vetëidjshëm për spekulimet ne rritje për të ardhmen e taskë frocës dhe hetimin e saj. Megjithatë ai theksoi se puna hetimore është duke vazhduar dhe se është herët të paragjykohen rezultatet” thuhet në komunikaten e Task Forcës.”

Task Forca speciale ka mandat ekskluziv hetimin e akuzave për krime lufte dhe krime të organizuara të përmendura në Këshillin e Europës nga Dick Marty. Si i tillë ky trup hetues është themeluar në vitin 2011. Përbëhet nga staf ndërkombëtar dhe funksionon nën autoritetet e misionit Eulex në mënyrë që siç thuhet të garantojë pavarësinë dhe besimin e procesit.

Top Channel