Krime, shpallet pavarësia

11/03/2014 00:00

Deputetët në Parlamentin e Krimesë miratuan “deklaratën e pavarësisë”.

Sipas këtij dokumenti, rajoni do t’i bashkohet Rusisë, nëse kjo aprovohet në referendumin e 16 Marsit. Pas kësaj, Krimea zyrtarisht do të kërkojë të jetë pjesë e Federatës Ruse.

Në një seancë sekrete, deklarata mori 78 vota pro dhe 3 kundër. Në këtë deklaratë përmendet edhe ndarja e Kosovës nga Serbia, si një precedent ligjor.

Edhe qyteti i Sevastopolit do të marrë pjesë në referendum, megjithëse sipas Kushtetutës së Ukrainës nuk është nën administratën e Krimesë, por të Kievit. Aktualisht është nën kontrollin e forcave pro-ruse dhe aty ndodhet flota ruse.

Nga ana tjetër, deputetët në Kiev i kërkuan Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, sipas garancive që i janë dhënë Ukrainës në vitin 1994, të përdorin të gjitha mjetet, qoftë ato ushtarake, për të ndaluar agresionin e Rusisë.

Parlamenti i Ukrainës paralajmëroi Asamblenë rajonale të Krimesë se do të shpërndahet, nëse nuk anulon referendumin për t’iu bashkuar Rusisë. Afati i caktuar është e mërkura.

Yanukovych: Jam presidenti legjitim i Ukrainës

Presidenti i rrëzuar, Viktor Yanukovych, këmbënguli të martën se ai mbetet presidenti legjitim i Ukrainës dhe komandant i Forcave të Armatosura.

“Së pari, për shkak të zërave që janë përhapur në Ukrainë, dua t’iu them se jam gjallë, megjithëse, nuk mund të them se po ndjehem mirë, sepse nuk mund të shoh se çfarë po ndodh në Ukrainë, pa qënë i alarmuar”, tha Yanukovych.

Ai tha se do të kthehet në Kiev dhe i bëri thirrje ushtrisë të sfidojë “urdhrat kriminalë”, që i jepen nga armiqtë e tij. Kjo është dalja e dytë publike e Viktor Yanukovych, prej kohës kur ai u largua nga Ukraina dhe u vendos në Rusi.

“Nuk u shkarkova nga detyra në përputhje me Kushtetutën e Ukrainës”, tha Yanukovych. Ai tha se zgjedhjet presidenciale, të caktuara më 25 Maj, janë të paligjshme dhe premtoi të kthehej në Kiev, sapo të krijohen rrethanat.

“Unë deklaroj që zgjedhjet presidenciale të 25 Majit, të shpallura nga autoritetet që morën pushtetin, si rezultat i një grusht-shteti antikushtetues, janë plotësisht të paligjshme. Ato nuk përputhen me nenin 103 të Kushtetutës së Ukrainës. Çdo autoritet që do të formohet si rezultat i këtyre zgjedhjeve të paligjshme do të jetë gjithashtu i paligjshëm”, theksoi Viktor Yanukovych.

Presidenti i rrëzuar dënoi edhe planet amerikane, për të ndihmuar udhëheqësit e rinj të Ukrainës, përfshirë edhe dhënien e garancisë për huanë në vlerën e 1 miliard dollarëve. Ai fajësoi armiqtë e tij, që Krimea po ndahet nga Ukraina.

“Veprimet e qeverisë suaj çuan në ndarjen e Krimesë, kësisoj edhe nën armë njerëzit në juglindje kërkojnë të respektohen të drejtat e tyre”, tha Yanukovych.

Deklarata e tij pason atë të presidentit në detyrë të Ukrainës, i cili foli në Parlament dhe kërkoi krijimin e një Garde të re Kombëtare, për të mbrojtur vendin nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme. Rusia, de facto, ka nën kontroll Krimenë dhe ka kërcënuar se do të ndërhyjë, nëse kjo do të jetë e nevojshme, për të mbrojtur të gjithë qytetarët rusisht-folës në këtë rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB