
Konferenca Ballkanike e Sporteve me Kuaj, e cila për herë të parë zhvillohet në Shqipëri ka vendosur disa rregulla për sportin e hipizmit në rajon dhe zhvillimin e një kampionati ballkanik, ku për herë të parë merr pjesë edhe vendi ynë.
“Do të merren masat për organizmin e garës ballkanike në Kroaci këtë vit në shtator, ku Shqipëria do të garojë me 3 kalorës. Në Shqipëri ne nuk kemi ende mundësi për organizimin e garave ballkanike. Këtu ekziston vetëm një kompleks për të organizuar të tilla gara dhe ai është drejt përfundimit. Pas përfundimit të tij menjëherë do të fillojmë organizimin e garave ndërkombëtare edhe në Shqipëri”, thotë Klodian Allajbeu, President i Federatës Shqiptare të Hipizmit.
Ndryshe nga vendet e rajonit ku këto federata kanë mbështetje maksimale nga qeveritë përkatëse për rritjen e cilësisë së këtij sporti, në Shqipëri fondi grant për këtë federatë është minimal dhe nuk i kalon 1mln lekë.
Kroum Rachkov, President i Konfederatës Ballkanike: Fondi që Ministria e Sporteve ka dhënë këtë vit në Bullgari ka qenë 250 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e sigurojmë nga sponsorët dhe aktivitetet tona. Duhet të theksojmë se mbështetja e shtetit është shumë e domosdoshme në rritjen e një sporti dhe sigurisht të hipizmit.
Klodian Allajbeu, President i Federatës Shqiptare të Hipizmit: Roli i shtetit deri më tani ka qenë modest me financimin të një niveli të ulët. Ne kemi shpresë që këto do të rriten në vazhdim dhe jemi përpjekur që të mbulojmë këto nëpërmjet donacioneve të ndryshme.
Përvec fondeve të pamjaftueshme një tjetër problem kryesor që pengon drejpërdrejt pjesëmarrjen e sportistëve tanë në aktivitetet ndërkombëtare është mungesa e një drejtorie në Ministrinë e Bujqësisë e cila bën të mundur pajisjen e kuajve me certifikata veterinare në bazë të parametrave europianë.
Top Channel