Izraeli ka shprehur frikën se grupet e armatosura në Liban dhe Gaza mund të shtojnë edhe sulmet me dronë shpërthyes, veç arsenaleve kryesore të tyre të raketave, në rast të një lufte në të ardhmen kundër Tel Avivit, ka bërë të ditur shefi izraelit i Mbrojtjes Ajrore.
“Do të na duhet të përballemi me dhjetra mjete ajrore pa pilotë, si në kufijtë veriorë, ashtu dhe në ato jugorë”, tha Major-Gjeneral Shachar Shohat, gjatë një konference për sigurinë në Tel Aviv, të hënën.
Dronë nga Libani kanë kaluar në hapësirën ajrore të Izraelit të paktën në 2 raste, gjatë viteve 2012 dhe 2013, me shumë mundësi për misione fotografimi apo për të testuar mbrojtjen tonë ajrore. Avionët izraelitë i qëlluan dhe i rrëzuan ato në të dyja rastet.
Dronët nga Libani dhe Gaza mund të jenë qoftë të tipit të aeroplanëve të kontrolluar me radio, që peshojnë shumë pak kilogramë, deri tek ato të mëdhenjtë, me ngarkesa prej qindra kilogramësh, citohet të ketë thënë Shohat për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Një tjetër oficer i Forcave Ajrore tha se Shohat u ishte referuar llojeve të dronëve, që përmbajnë eksplozivë si ngarkesë me synimin që të përplasen te objektiva të caktuara.
Referenca për tipet e rënda të mjeteve tregon se Izraeli beson se grupi libanez “Hezbollah” do t’i marrë këto dronë nga Irani. “Hezbollah”, “Hamas” dhe luftëtarë të tjerë palestinezë kanë lëshuar mijëra raketa ndaj Izraelit, që në aspektin ushtarak është shumë më superior, gjatë konflikteve të kaluara, por shumë rrallë kanë përdorur dronët.
Gjithsesi, Shohat tha se dronët janë tashmë pjesë e strategjive të armiqve. Pas incidentit të vitit 2012, lideri i “Hezbollah”, Hassan Nasrallah, pranoi se kishte dërguar një dron që kishte hyrë 40 km në hapësirën izraelite. Ai tha se pjesët e tij ishin prodhuar në Iran dhe ishin montuar nga anëtarët e “Hezbollah” në Liban. Megjithatë, Nasrallah mohoi që “Hezbollah” apo “Rojet Revolucionare Iraniane” të kenë qenë përgjegjës të fluturimit gjatë vitit 2013.
Izraeli është lideri botëror në teknologjitë e dronëve dhe i ka përdorur tej mase ato gjatë luftimeve. Uzi Rabin, një ekspert izraelit i hapësirës ajrore, tha se sistemet e mbrojtjes “Iron Dome” dhe “Patriot” të Izraelit, interceptuese të raketave, janë të afta të qëllojnë e të rrëzojnë shumicën e dronëve.
Top Channel