Izraeli akuzon botën për hipokrizi ndaj Iranit

11/03/2014 15:40

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi komunitetin ndërkombëtar për “hipokrizi” ndaj Iranit.

Netanyahu i bëri këto deklarata në një bazë ushtarake, nga ku izraelitët treguan një arsenal armësh të prodhimit sirian, të sekuestruara më parë gjatë muajit në një anije iraniane, që sipas Tel Avivit po dërgonte ngarkesën tek terroristët palestinezë të Hamasit.

Në fjalën e tij, Netanyahu kritikoi shefen e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, e cila vizitoi Teheranin në fundjavë.

“Shtrëngimet e duarve dhe buzëqeshjet e saj në Teheran nuk ishin asgjë më shumë se një hipokrizi”, komentoi Netanyahu në fjalën e tij.

Irani ka mohuar akuzat e Tel Avivit, për transportimin e armëve drejt Palestinës, duke e cilësuar akuzën si një “gënjeshtër” të ulët.

Një zëdhënës i Hamasit, grupit islamik radikal që qeveris në Gaza, i përgënjeshtroi gjithashtu këto akuza, duke i konsideruar si një “lojë e sëmurë”.

Megjithatë, sipas Izraelit, ngarkesa e armëve u sigurua në Damask prej iranianëve, të cilët siguruan armët dhe i nisën ato për në Palestinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA