Aeroporti i Dubait i dëmtuar pas sulmit me raketa të Iranit, 4 anëtarë të stafit të plagosur
Misteri i avionit të “fluturimit 370”, që ishte nisur nga Kuala Lumpur i Malajzisë drejt Pekinit dhe që u zhduk nga radarët gjatë udhëtimit me 239 veta në bord, vazhdon të mos marrë përgjigje, teksa ende nuk janë gjetur mbetje të tij.
Është tepër hutuese se si një avion pasagjerësh të jetë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Kësaj të panjohure i shtohet edhe lajmi se të paktën 2 persona në bord ishin duke udhëtuar me pasaporta të vjedhura nga një austriak dhe një italian.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) është duke kontrolluar gjurmët e gishtërinjve të këtyre pasagjerëve përmes bazës së tyre të të dhënave, ka bërë të ditur një zyrtar i zbatimit të ligjit për CNN. Gjurmët e gishtërinjve u morën në “check-in”-in e aeroportit të Kuala Lumpur, si dhe u shpërndanë te të gjitha shërbimet e inteligjencës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në botë, nga qeveria malajziane.
Zyrtarë të Malajzisë kanë shpërndarë gjithashtu edhe pamjet e personit, pjesë e qeverisë amerikane, tha një zyrtar i inteligjencës amerikane.
“Ata do të krahasojnë gjurmët e gishtërinjve me ato që kemi në bazën tonë të të dhënave për terroristët. Këto janë në listën e njerëzve që u ndalohet udhëtimi, njerëz me lidhje të mundshme terroriste, njerëz që kanë arsye për të pasur dyshime ndaj tyre”, tha senatori republikan Peter King për CNN. “Ne kemi listat, kemi emrat e tyre dhe gjurmët e gishtërinjve, ndaj dhe të dhënat e marra nga Malajzia do të krahasohen me ekzistueset”.
Sipas zyrtarëve të policisë tajlandeze, një iranian i quajtur Kazem Ali bleu biletat për 2 “miqtë” të cilët donin të riktheheshin në Europë. Ndërkohë që Ali bëri rezervimin fillestar nëpërmjet telefonit, ndoshta Aliu apo dikush tjetër që po vepronte në emër të tij pagoi për biletat me parà “cash”, sipas policisë.
Autoritetet kanë rishikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së aeroportit dhe kanë thënë se personat, që kanë udhëtuar me pasaportat e vjedhura, “nuk janë aziatikë”, tha Azharuddin Abdul Rahman, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Aviacionit Civil Malajzian.
Shumica e 239 personave në bordin e aeroplanit ishin nga Azia, 154 kinezë apo nga Taivani dhe 38 nga Malajzia.
Italiani, emri i të cilit figuronte si udhëtar i këtij fluturimi, Luigi Maraldi, u tha reporterëve në Tajlandë gjatë fundjavës se kishte raportuar vjedhjen e pasaportës së tij në Gusht.
Edhe Interpoli njoftoi të dielën se po heton për pasaportat e dyshimta, të cilat raportohen se janë vjedhur në Tailandë, nga ku ka reaguar edhe kryeministrja e këtij vendi, Yingluck Shinawatra, duke thënë për CNN se policia ka nisur hetimet.
Top Channel