
Christian Horner, shefi i ekipit Red Bull, pasi ka analizuar paraqitjet në testimet parasezonale të të gjitha skuderive, ka thënë se “nuk do të ishte çudi nëse njëri nga pilotët e Mercedesit do të linte dy xhiro pas të gjithë të tjerët në garën e Melburnit”.
“Në Australi mund të shohim një dominim më të madh të Mercedesit sesa ai që kemi pasur ne të Red Bullit. Nuk do të ishte çudi që Mercedesi të na lërë dy xhiro pas në fund të garës. Kanë një avantazh të madh dhe gjithashtu kanë dy pilotë shumë të shpejtë si Hamilton dhe Rosberg”, tha Horner për ‘Daily Mail’.
“Mendoj se Rosberg dhe Hamilton do të luftojnë për fitoren në garat e para. Pas tyre do të vijnë makinat e tjera me motor Mercedes”, shtoi Horner.
Në lidhje me ekipin e tij, Horner theksoi se Red Bulli vazhdon të jetë një makinë e mirë, edhe pse ka pasur paraqitje të dobëta në testimet parasezonale: “Kam besim të plotë tek të gjithë pjesëtarët e skuadrës. Kemi inxhinierë shumë të zotë që do të gjejnë zgjidhjet e duhura. Parashikoj që në muajin maj, kur të nisin garat në Europë, do e kemi marrë veten.”
Kjo do të thotë që në garën e Australisë, Malajzisë, Bahreint dhe Kinës, Red Bulli do të ketë probleme.
Top Channel