Pistorius vjell në sallën e gjyqit

10/03/2014 16:35

Oscar Pistorius volli në sallën e gjyqit ditën e hënë, ndërsa një mjek lexoi rezultatet e autopsisë së Reeva Steenkamp dhe paraqiti disa foto të trupit të pajetë të 29-vjeçares.

Atleti i famshëm paraolimpik ka pranuar vrasjen e të dashurës modele në orët e para të Shën Valentinit 2013, por ndryshe nga akuza që e fajëson atë për vrasje me dashje i shtyrë nga xhelozia, afrikanojugori shpreson të provojë se vrasja e saj ishte aksidentale dhe se ai qëlloi duke besuar se një grabitës kishte hyrë në shtëpi.

Në seancën e sotme, mjeku ligjor shpjegoi se si Steenkamp u qëllua katër herë, në pjesën e sipërme të djathtë të kokës, në shpatullën e djathtë, në ijen e djathtë dhe në krahun e majtë.

Sipas mjekut, vetëm plaga në ije do të kishte mjaftuar për të qenë fatale, ndërsa plumbi në kokë e ka lënë atë të paaftë për çfarëdo lëvizje në sekondat e fundit të jetës.

Në mushkëritë e të ndjerës nuk u gjetën shenja gjaku, provë se modelja mori frymën edhe vetëm disa herë pasi u qëllua me pistoletën e të dashurit, duke ndërruar jetë në vendngjarje.

I gjithë ky përshkrim, duket se preku ndjeshëm të pandehurin Pistorius, i cili është shfaqur në gjendje të dërrmuar fizike dhe psikologjike që prej fillimit të gjyqit.

Më parë gjatë procesit, atleti ka “arkëtuar” disa goditje nga dëshmitarë të ndryshëm të thirrur për të dhënë mendimin e tyre.

Midis të gjithëve, një ish-e dashur e 27-vjeçarit tregoi për karakterin impulsiv të Pistorius dhe për mënyrën e papërgjegjshme se si kishte përdorur një pistoletë në të shkuarën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA