Muaji prill do t’i gjejë të gjithë punonjësit dhe pensionistët kosovarë me paga dhe pensione 25 për qind më të larta nga kuota bazë e tyre. Përjashtim do të bëjnë pensionistët minatorë të ndërmarrjes shoqërore Trepça, për të cilët rritja do të shkojë në 50 për qind.

Është ky vendimi i qeverisë së Kosovës, i paralajmëruar kohë më parë për rritjen e pagave. Kryeministri Hashim Thaçi tha se nga ky vendim përfitojnë gjithësej 240 mijë familje, pra jo vetëm nëpunesit publikë, numri i të cilëve është mbi 80 mijë, por edhe kategoritë e tjera të shoqërisë.

“Përveç se mbi 240 mijë familje në Kosovë, rritja e pagave do të përfshijë shërbyesit publikë që marrin paga nga buxheti, pra 80.475 nëpunës. Mësuesit dhe profesorët e shkollave të mesme e universitare, akademikët, gardianët, zjarrfikësit, pylltarët, infermierët, mjekët, prokurorët, gjykatësit e artistët”, deklaroi Thaçi.

Rritja për nëpunësit publikë do të jetë 25 për qind. Vendimi i qeverisë parasheh, siç tha kryeministri Thaçi, përfitime edhe për kategoritë e pensionistëve. Numri i përgjithshëm i tyre është afër 67 mijë.

Rritja e pensioneve do të prekë po kështu familjet e personave të zhdukur në luftë. Shefi i ekzekutivit kosovar nuk anashkaloi nga përfitimet prej buxhetit të shtetit as ish-të burgosurit politikë, për të cilët tha se janë afër 4 mijë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta