Lideri koreanoverior, Kim Jong-un u zgjodh me një votë unanime si përfaqësues i popullit në Parlamentin kukull të Koresë së Veriut.
Diktatori grumbulloi 100% të votave në Malin Paektu, siç quhet krahina në të cilën konkurroi, e vlerësuar si e shenjtë në vendin më të izoluar të botës pasi atje ka lindur gjyshi i tij dhe themeluesi i sistemit, Kim Il-sung.
Sipas Agjensisë Koreane të Lajmeve “KCNA”, “zgjedhja me 100% të aprovimit popullor dëshmon për mbështetjen absolute që gëzon lideri i dashur në vendin tonë”.
Në zgjedhjet e ditës së dielë u votua për të zgjedhur nga një përfaqësues në secilën prej 687 rajoneve të vendit.
Në fletët e votimit kishte vetëm një emër, të propozuar nga Partia Komuniste në pushtet dhe votuesit duhet të shkruanin me gërma “Po” ose “Jo”.
Këto ishin zgjedhjet e para nën drejtimin e Kim Jong-un, por në asnjë moment ato nuk u vlerësuan si një testim për liderin, pasi në shtetin më hermetik të planetit, edhe një votë kundër do të përbënte një ngjarje gati të pabesueshme.
Me votimet aspak të lira dhe shtrëngimin për të marrë pjesë për të mbështetur autoritetet, pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit të 2009-s ishte prej 99% e votuesve dhe 100% e tyre mbështetën kandidatët e prezantuar nga partia.
Këto zgjedhje në Korenë e Veriut ishin të rëndësishme për dy arsye.
E para, për herë të parë, në mediat shtetërore u shfaq e motra e diktatorit, Kim Yo-jong, e cila besohet se është 26 vjeç dhe një shfaqje e tillë interpretohet si shenjë se e reja mund të jetë duke ngjitur shkallë në hierarkinë e vendit komunist.
E dyta, pasi emrat e ligjvënësve të rinj koreanoveriorë studiohen me kujdes, për të kuptuar se cilët janë të besuarit e rinj të partisë dhe se sa kanë ndryshuar preferencat në 5 vitet e fundit.
Top Channel