Hoeness rrezikon 7 vite burg

10/03/2014 00:00

Falë fitores 0-2 në Londër, Bajerni pret i qetë në Gjermani ndeshjen e kthimit me Arsenalin, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për presidentin e kampionëve në fuqi të Bundesligës dhe Europës, Uli Hoeness.

62-vjeçari po gjykohet për evazion fiskal. Në seancën e radhës, ai pranoi se i kishte shkaktuar një dëm prej 18 milion eurosh autoriteteve gjermane duke përdorur një llogari të fshehtë në Zvicër.

Shuma e deklaruar prej tij është shumë herë më e madhe se sa pretendimi i prokurorëve, që e akuzonin atë për evazion fiskal në vlerën e 3.5 milion eurove.

“Do të bëj gjithcka që është e nevojshme për t’u siguruar që ky kapitull i jetës time të mbyllet”, tha ai i penduar në seancë.

Sipas mediave gjermane, Hoeness pranoi akuzën dhe u rrëfye me shpresën se do të përfitojë një amnisti nga autoritetet nëse paguan të gjitha taksat që u është shmangur këto vite.

Por s’janë të këtij mendimi prokurorët, të cilët thanë se do të kërkojnë 7 vjet burg për presidentin e bavarezëve. Sipas tyre, rrëfimi i 62-vjeçarit nuk është shprehje pendimi, por lëvizje për t’i shpëtuar dënimit, pasi hetimet ishin në rrugën e zbardhjes së të gjithë dëmit që ai i ka shkaktuar shtetit.

Skandali njollos emrin Hoeness, i cili vec karrierës si drejtues, ka patur një karrierë të shkëlqyer si futbollist duke e ndihmuar Gjermaninë e tij të fitojë Kupën e Europës në vitin 1972 dhe dy vjet më vonë, Kupën e Botës.

Top Channel