Dhunohen lokalet e “Radio Televizionit Mitrovica” në Mitrovicë.

Nëpërmjet një reagimi publik, ky televizion njoftoi se mesnatën e së shtunës, persona të panjohur kanë thyer dyer e orendi, si dhe kanë vjedhur kamerat dhe pajisjet e tjera të televizionit.

Ngjarjen e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës. Sipas zëdhënësit Avni Zahiti, rasti është raportuar në polici si vjedhje, por deri më tani nuk ka të dyshuar.

“Këto pajisje mund të përdoren vetëm nga televizionet, radiot dhe produksionet profesionale, ndaj luten kolegët nga televizionet dhe radiot e tjera në Kosovë e jashtë saj, që në rast se joshen për të blerë këto pajisje nga hajdutët që i vodhën ato, të lajmërojnë ‘RTV Mitrovica’ apo policinë”, thuhet në njoftimin e “TV Mitrovicës”.

Instituti i medias së Kosovës, një organizatë jo-qeveritare për sektorin mediatik në Kosovë, ka dënuar ashpër rastin e vjedhjes së pajisjeve të “RTV Mitrovica”.

Nëpërmjet një komunikate, ky institut kërkoi nga policia e Kosovës, që të zbardhë rastin.

“Dëmtimi i ‘RTV Mitrovica’ është akti më i ulët, që ka për qëllim ndalimin e lirisë së shprehjes dhe pengimin e punës së mediumeve elektronike në Kosovë. Kërkojmë nga policia e Kosovës, që rasti i mbrëmshëm dhe rastet e tjera të dhunimit të ‘RTV Mitrovica’ të mos mbeten vetëm në sirtarët e organeve të drejtësisë, siç ka ndodhur deri më tani, por të zbardhen sa më parë”, thuhet në një komunikatë.

Top Channel