Fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur pas një viti, nga familjarët e tyre, në rethinat e Kuvendit dhe selisë së qeverisë së Kosovës.

Në ditën ndërkombëtare të gruas u organizua një marsh në përkrahje të nënave, grave, motrave e bijave të të pagjeturve, me moton “Jemi me ju”. Nysrete Kumnova, nga organizata “Thirrjet e Nënave”, tha se për 15 vite po presin me ankth për më të dashurit e tyre.

“Ne, familjarët e të rrëmbyerve dhe të pagjeturve të Kosovës, jemi të zhgënjyer me institucionet vendore e ndërkombëtare, të cilat mund ta zgjidhin çështjen e të pagjeturve. Por, në vend që t’i bëhet presion Serbisë, ajo po ledhatohet. Në bazë të konventës ndërkombëtare, ne familjarët kemi të drejtë për të ditur. Ne nuk do të ndalemi se kërkuari për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”, deklaroi Kumnova.

Protesta u mbajt për shkak të mos realizimit të premtimit nga ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa për ndërtimin e një obelisku me emrat dhe fotografitë e të gjithë të pagjeturve.

Në përkrahje të familjarëve të të pagjeturve doli edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se duhet të bëhet më shumë presion nga qeveria e Kosovës, në mënyrë që të kthehen trupat nga Serbia. Ahmeti premtoi se do të angazhohet lidhur me ndërtimin e obeliskut.

“Është një prej plagëve të mbetura të popullit tonë dhe unë thjesht mund të zotohem se në rolin e kryetarit do të bëj gjithçka është e mundur dhe në kompetencën e komunës që të plotësojmë këtë dëshirë, këtë amanet të nënave dhe të familjarëve të të pagjeturve në përgjithësi. Prandaj, në momentin që do të takohem dhe do të njihem me të gjitha kërkesat do të shoh se çfarë mund të bëjë komuna”, tha Ahmeti.

Ndërsa nënat mbeten të zhgënjyera nga institucionet e vendit. “Prej 15 vitesh janë duke provokuar durimin e nënave. Prej 15 vitesh ne bredhim nëpër rrugë lartë e poshtë, ndërsa këta vazhdojnë me punët e tyre. Për ne, nënat dhe familjarët, ata nuk duan t’ia dinë nëse jemi gjallë apo të vdekur. I gjithë gjaku i derdhur për shtetin e Kosovës është gjaku i bijve dhe bijave”, tha njëra prej tyre.

Në ditën ndërkombëtare të gruas, një organizatë dhuroi lule për femrat famlijare të të pagjeturve. Në përkrahje të tyre dolën artistë e qytetarë të vendit. Lista e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë numëron edhe 1.780 emra.

Top Channel