
Gonzalo Higuain është ambientuar shumë shpejt në Napoli pas largimit nga Real Madrid dhe në një intervistë për ‘La Repubblica’, sulmuesi argjentinas shpjegon pse zgjodhi të luante për skuadrën italiane.
“Është qyteti perfekt ku mund të luash futboll. Nuk jam tipi që dal shumë, por më mjafton të hap dritaren në mëngjes dhe menjëherë nis dita mbarë. Kam një panoramë të mrekullueshme. Dua të fitoj Serinë A me këtë fanelë. Kam objektiv edhe të thyej rekordin e golave të Maradonës me Napolin”, thotë Higuain.
Argjentinasi vlerëson edhe mikpritjen e napoletanëve: “Që në fillim kam vendosur një marrëdhënie të veçantë me ta. Më kanë treguar dashurinë e tyre dhe unë jam munduar t’ia kthej duke dhënë maksimumin në fushë. Dua t’i lumturoj me golat e mi. Jam i bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur.”
Në fund, Higuain shpalosi edhe objektivat e Napolit për këtë sezon: “Vendi i dytë, Kupa e Italisë dhe Europa League. Sezonin tjetër do luftojmë për kampionatin.”
Top Channel