Mijëra grekë kanë marshuar në rrugët e Athinës për të protestuar ndaj shifrave të larta të papunësisë dhe masave shtrënguese të imponuara nga kreditorët e huaj, në shkëmbim të ndihmës financiare.

Në protestë merrnin pjesë të papunë nga sektorë të ndryshëm, si ai i ndërtimit, që ka pësuar goditjen më të madhe gjatë krizës; nga industria artizanale; nga sindikatat e punëtorëve të porteve dhe ato që përfaqësojnë shërbimet zyrtare të vendit.

Qeveria greke duket e pafuqishme t’i japë një zgjidhje plagës së madhe të papunësisë, para zgjedhjeve lokale dhe atyre për PE, ndërsa armata e të papunëve është trefishuar në katër vitet e fundit, me fillimin e krizës së borxhit.

“Njerëzit duhet të kuptojnë në një moment, se çfarë po ndodh me të vërtetë. Ata duhet të dalin në rrugë, sepse nuk janë vetëm disa sindikata, ose disa sektorë në rrezik, por miliona njerëz të papunë”, tha Petros Pountidis, i papunë, për “Reuters”.

Norma aktuale e papunësisë në Greqi mbetet në 27,5%, ose e thënë ndryshe më shumë se 1,380,000 njerëz janë zyrtarisht në rrugë. Në moshat nga 15-24 vjeç, kjo shifër shkon në 55,5%, kur para krizës ka qenë vetëm 23%.

“Nuk dua të bëj asgjë me këtë qeveri, pasi nuk e mbështes dhe nuk e pranoj atë. Të gjithë njerëzit, me ose pa punë, duhet ta kuptojnë se e vetmja zgjidhje është të luftosh duke dalë në rrugë”, tha Mirsini Vamvakousi, e papunë, për “Reuters”.

Protestuesit kanë sfiduar ndalimin e mitingjeve ditën e enjte, për shkak të vizitës së presidentit gjerman, dhe janë përleshur me forcat e policisë, që kanë përdorur gaz lotsjellës, pasi kanë dashur të çajnë rrethimin e tyre dhe të shkojnë drejt Parlamentit.

Protesta e sotme është zhvilluar ndërsa, prej disa ditësh, në kryeqytet ndodhen ekspertët e kreditorëve, e ashtuquajtura “Troika”, të cilët ende nuk po bien dakord me masat e zbatuara nga Athina dhe propozojnë reforma të reja, në mënyrë që të aprovojnë këstin e ndihmës financiare.

Në negociatat e pafundme ka rezulatuar se, gjatë testit të stresit, të zhvilluar orët e fundit, bankat greke përsëri do të kenë nevojë për më shumë se 6,4 mld euro përforcim për kapitalet e tyre, shumë që ende nuk dihet se si do të mbulohet nga kreditorët e huaj të Greqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA