Gjykata e Apelit në Prishtinë ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka hedhur poshtë atë të palës mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj ish-bordit drejtues të Ministrisë së Transportit, ku i akuzuar është ish-ministri Fatmir Limaj dhe tre ish-zyrtarë të tjerë.

Konkretisht, mbrojtja kishte kërkuar papranueshmërinë e provave të mbledhura gjatë bastisjes së shtëpisë së Fatmir Limajt, të hedhura poshtë më parë nga gjyqtari kryesues, ndërsa akuza pranimin e tyre.

Sipas një njoftimi të misionit EULEX, trupi gjykues në Apel, i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas, ka pranuar më 5 mars pjesërisht ankesën e prokurorisë, duke i shpallur të vlefshme provat e mbledhura gjatë bastisjes së banesës së ish-ministrit në Çagllavicë, më 28 prill 2010.

Pas këtij vendimi, çështja penale do të vazhdojë me shqyrtimin kryesor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tashmë në kuadër të aktakuzës së konfirmuar.

Limaj dhe bashkëpunëtorët e tij Endrit Shala, Nexhat Krasniqi dhe Florim Zuka akuzohen për kryerjen e veprave penale: krim i organizuar, shpërdorim i pozitës zyrtare dhe mitmarrje. Ndaj Limajt rëndon edhe ajo për mosdeklarim të financimit të fushatës elektorale.

Ndër të tjera, Gjykata e Apelit konfirmoi hedhjen poshtë në tërësi të aktakuzës ndaj të pandehurve Florim dhe Demir Lima dhe Gani Zogaj. Proçedurat kundër këtyre të fundit janë pushuar.

Top Channel