Ceremonia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës për nder të epopesë së UÇK-së, komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij bashkoi përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe qytetarë të shumtë.

Kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që shoqërohen nga notat muzikore të orkestrës frymore të FSK-së, parakaluan solemnisht ndoshta për herë të fundit nën strukturën, komandën dhe misionin që kanë.

Komandanti i paradës edhe këtë herë, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, i raportoi komandantit suprem të FSK-së, presidentes Atifete Jahjaga për gatishmërinë e trupave në këtë manifestim.

Si komandante supreme e FSK-së, presidentja Jahjaga në fjalën e saj anashkaloi vendimin e qeverisë për themelimin e forcave të armatosura. Kosova, sipas Jahjagës, ka para vetes një rrugë të vështirë në forcimin e vlerave demokratike.

“Rruga deri këtu ishte e vështirë dhe aspak më e lehtë nuk do të jetë puna për përforcimin e vlerave demokratike, deri në arritjen e objektivave tanë, anëtarësimin në BE dhe NATO”, deklaroi Jahjaga.

Por ka qenë pasardhësi i Jasharajve, i pranishëm në këtë ceremoni, që me pak fjalë uroi misionin e ri të FSK-së. “Të dashur anëtarë të ushtrisë sonë të Kosovës, se për ne keni qenë ushtri që nga 97-a me daljen në skenë të UÇK-së, ju uroj suksese. Të përmbushni me krenari misionin. Lavdi atyre që ranë për lirinë tonë që ne sot gëzojmë”, u shpre Bekim Jashari.

Ashtu si në çdo përvjetor tjetër, autoritetet shtetërore nderuan sakrificën e Jasharajve në Prekaz dhe dëshmorët që ranë për liri, duke vendosur kurora lulesh pranë obeliskut të komandantit.

“Kosova pas shtetësisë po hyn në fazën e natyrshme të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Përkushtimi institucional për integrimin euro-atlantik jeni ju, të nderuar pjesëtarë të FSK-së, që me profesionalizmin tuaj na bëni krenarë”, deklaroi më tej kryeministri Hashim Thaçi.

Pjesë artistike nga orkestra frymore e FSK-së përcollën këtë manifestim pavarësisht kohës me shi. Marshi i UÇK-së ishte njëra ndër to. Nga ana tjetër, qytetarë të shumtë dhe politikanë të tjerë iu drejtuan kullës së Jasharajve.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj bëri homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, ku do të jenë të përqendruara aktivitetet e tjera që shënojnë Epopenë e UÇK-së.

Top Channel