Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, dhe
raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, kërkojnë nga
Komisioni që të rekomandojë brenda mandatit, pra deri në fund të
vjeshtës, heqjen e vizave ndaj kosovarëve, të cilët konsiderohen si ‘të
lënë në harresë’, meqënëse Beogradi përfitoi përveç statusit kandidat
dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Janar, falë marrëveshjes së
arritur në dialog me Prishtinën.

“Ne miratuam liberalizimin e vizave me Moldavinë, si dhe për 9 ishuj Karaibe dhe gjithë këto elementë,me prurjen e vendeve të reja në regjimin e lirë, janë të rëndësishëm pasi ne s’kemi mbyllur ende historinë me Ballkanin Perëndimor. Ndaj përpiqemi të shohim që Kosova do ketë regjim pa viza sapo të jetë e gatshme, por pa vonesa në të vërtetë, çfarë ne e ndjejmë se kjo po ndodh”, thotë Fajon.

“Është e vërtetë se nëse nuk do të bëhet tani raporti, atëherë vonesat do të jenë dhe më të gjata për shkak se pas zgjedhjeve, një Komision i ri ngrihet dhe kjo është arsyeja pse zhvillojmë këtë konferencë shtypi tani, në mënyrë që të nxisim që kjo të ndodhë përpara se të zërë vend Komisioni i ri”, tha Lunacek.

“Përsa i takon procesit, do të jem e sinqertë, nëse ka vullnet politik nga ana e institucioneve të BE-së, procesi vijon mjaft shpejt”, theksoi Fajon.

Në një letër të hapur të përbashkët ndaj komisioneres Mallmstrom,  Lunaçek dhe Fajon vlerësojnë se raporti i parë i ekspertëve tregoi janarin e kaluar se Kosova kishte plotësuar reformat e duhura të udhërrëfyesit për vizat, madje me ritme më të shpejta se vendet e tjera të rajonit.

Në mes të marsit një grup ekspertësh nga vendet anëtare pritet të vizitojë Prishtinën përpara publikimit të raportit të dytë, gjë për të cilën dy eurodeputetet i bëjnë thirrje autoriteteve vendase për bashkëpunim të ngushtë me Komisionin, agjencitë relevante dhe Delegacionin e BE-së në terren.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel