“12 vjet skllav” vazhdon ngjitjen

04/03/2014 00:00

Pas fitores si filmi më i mirë, “12 vjet skllav” po merr të gjitha efektet pozitive të “post-Oscars”.

Mediat e huaja bëjnë të ditur se drama historike e regjisorit Steve McQueen do të rishfaqet në sallat e kinemasë nga e premtja në 1000 vende në SHBA dhe Kanada.

Ndërkohë, libri me të njëjtin titull i Solomon Worthup, njeriut me ngjyrë që pavarësisht se ishte i lirë, u rrëmbye dhe u shit si skllav, është shitur edhe më shumë duke u ngjitur në vend të 16 të listës së librave më të shitur të amazon.com.

Para se filmi të fitonte tre statujat, duke përfshirë këtu edhe ato për aktoren Lupita Nyong’o dhe skenaristin John Ridley, ky libër ishte në vend të 326. Edhe më lart në listën e bestsellers të amazon për Europën, duke u ngjitur në vend të tretë.

Por jo vetem kaq. Sipas BBC, kujtimet e Worthup kanë tërhequr edhe vëmendjen e shumë shkollave publike, të cilat e kanë shtuar atë në kurrikulat e tyre dhe në listat e leximit.

Sa u përket arkëtimeve nga shitjet e biletave të filmit para fitores në The Oscars, deri më tani janë mbledhur vetëm në Amerikën e Veriut 50 milionë dollarë.

Top Channel