Përgjimet, kreu i SHISH para deputetëve

02/03/2014 15:15

Shkresa përmes të cilës Shërbimi Informativ Shtetëror vë nën përgjim drejtues të lartë të Policisë së Shtetit është konsideruar antiligjore nga kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho. 

Sipas tij, ky është një skandal i përmasave të medha sa kohe një strukturë shtetërore si SHISH angazhohet për një veprim të tillë me prapavijë sipas tij të qartë politike.

Duke shprehur dijeni të plotë për këtë dokument, zoti Braho tha se veprime te tilla nuk janë nderrmarë as gjatë kohës së diktaturës.

“Janë totalisht jashtë objektit të përcaktuar nga ligji për organizimin e funksionimi i SHISH. Kemi të bëjmë më një kërkesë të kundraligjshme, madje me elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës më e pakta. Po të sjellim për analogji, as në kohën e Koci Xoxes nuk janë bërë këto dhe kur tentoi t’i bënte Enveri i preu kokën. E thënë me atmosferën që përjetojmë, duket si një axhendë zyrtare e përputhur me një axhendë politike. Axhenda zyrtare e SHISH, ndërkohë që është axhenda e Partisë Demokratike, e cila po merret me këtë situatë duke akuzuar mjaft drejtues të policisë për implikime në krim”, deklaroi Braho.

Për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, zoti Braho theksoi se kreu i Shërbimit Informative Shtetëror do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku do të kërkohet informacion më i detjuar për atë që ai e quajti një skandal i paprecedent.

“Do ta shohim me gjakftohtësi situatën dhe do të informojmë në radhë të parë Parlamentin dhe në radhë të dytë presidentin e kryeministrin, i cili është personi direkt që është i ngarkuar me mbikqyrjen e ligjit për SHISH-in. Natyrisht, kemi të bëjme me një informacion i cili shprehet se brenda 2 ditësh, të dhënat duhet të grumbulloheshin. Do të kërkojmë ku janë këto pasi ministri i Brendshëm nuk ka të dhëna, ndërsa ishte detyra e drejtuesve të SHISH të informonuin ministrin. Kemi të bëjmë me një shkërmoqje të kësaj strukture. Nuk e di, është mjaft e rëndë!”, tha Braho.

Të njëjtin qendrim ka edhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili ngre pikëpyetjet se ku shkon ky informacion i marre nga Shërbimi Informative Shteteror, sa kohe nuk ka patur kundrejt tij asnjë kërkesë nga institucionet që qendrojnë mbi të.

“Unë e lexova kërkesën që është bërë. Bëhet fjalë edhe për thellimin e informacionit, jo vetëm për informacion që për një arsye mund të ishte mledhur për një punonjës, por kërkohet thellimi. Kjo është më e rëndë, absolutisht e kontraligjshme dhe më delikatja, kujt do t’i shkojë ky informacion, kush ka urdhëruar për këtë?”, theksoi Klosi.

Nga dokumenti i publikuar nje dite me pare rezulton se Sherbimi Informativ Shtetetor ne dt 2 Dhjetor 2013, vetem pak muaj pas ardhjes ne fuqi te qeverise se re ka kerkuar nga Drejtorite ne rrethe te identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në Qarqe, më konkretisht (drejtorin e qarkut, shefin e rendit, shefin e krimeve, shefat e komisariateve, drejtori qarkullimit rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit) dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA