
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto akuzoi qeverinë e mëparshme se ka shkelur ligjin për transportin ndërurban dhe ka lënë një situatë anarkike në transportin publik në tërësi.
“Fakti që qeveria e mëparshme dhe opozita e sotme e ka shkelur ligjin, ka lënë një situatë anarkike në transportin ndërqytetas dhe transportin publik në përgjithësi, nuk do të thotë që edhe kjo qeveri duhet ta shkelë ligjin. Jo, ne duhet dhe do ta zbatojmë ligjin. Ky është detyrimi që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë, ky është edhe detyrimi ndaj atyre që kanë humbur jetën në aksidente tragjike në rrugët e vendit. Ne nuk fshihemi pas gishtit, as pas problemit. Detyra jonë është të zgjidhim problemet, sado të vështira të jenë ato, dhe t’u shërbejmë të gjithë qytetareve, t’u japim atyre standarde të larta sigurie e mirëqënieje”, deklaroi Haxhinasto.
Haxhinasto shpjegoi proçedurën ligjore që duhet ndjekur nga shoferët e furgonëve “8 plus 1”. “Taksitë do të jenë taksi. Autobusët do të jenë autobusë. Nëse pronarët e taksive “8+1” duan të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin sipas liçencës që kanë, atëherë duhet të vendosin taksimetër, ashtu siç e kërkon ligji, të mos ndalojnë vend e pavend që të mbushen me pasagjerë rrugës, të marrin në kthim vetëm ata pasagjerë që kanë transportuar në rrugën e vajtjes, siç e kërkon ligji”, sqaroi Haxhinasto.
“Nëse nuk duan të shërbejnë si taksi, atëherë të aplikojnë për liçencë transporti ndërurban dhe të plotësojnë kushtet teknike që kërkon ligji, të nisen në vende të paracaktuara, me stacione të paracaktuara, sipas orareve të paracaktuara, me mjete e kushte të parashikuara nga ligji. Por kjo situatë, ku nga njëra anë këta persona duan të kenë edhe avantazhet e të qenurit taksi, edhe ato të transportit ndërurban, nuk mund të vazhdojë”, nënvizoi ministri.
Haxhinasto tha se nuk mund të vazhdohet me këtë formë, e cila është jo vetëm në kundërshtim me ligjin, diskriminon mbi 5.600 pronarë dhe drejtues autobusësh, por dhe cënon sigurinë e transportit të qytetarëve.
Top Channel