Rreth 82 mijë punonjës civilë në Kosovë, nga prilli i këtij viti do t’i
marrin pagat me rritje. Por ende vendimi nuk ka marrë formë
përfundimtare nga qeveria kosovare.

Sipas kryeministrit, finalizimi i kësaj çështjeje pritet të bëhet më së largu të hënën e ardhshme, kur qeveria të miratojë vendimin. Në mbledhjen e së enjtes të kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi tha se nga kjo rritje do të përfitojnë të gjitha kategoritë e punëtorëve.

Javën e kaluar ministri i Financave u ngarkua me detyrën që të përgatiste vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë.

“Kjo rritje do të përfshijë infermierët, mjekët, policët, profesorët universitarë, mësuesit, zjarrfikësit, punëtorët e administratës, shërbyesit civilë, gardianët, prokurorët, gjykatësit, doganierët, inspektorët tatimorë, të gjithë pjesëtarët e FSK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, veteranët, minatorët, gjithashtu edhe pensionistët kontributdhënës”, deklaroi Thaçi.

Dhe kjo rritje sipas tij, nuk do të përfundojë me kaq, por do të përfshijë edhe kategori të tjera, ndërsa vendimi do të merret shumë shpejt.

“Kjo rritje do të përfshijë edhe institutet shkencore, duke përfshirë edhe Institutin Albanologjik, edhe Institutin e Historisë. Pra, të gjitha kategoritë. Vendimi pritet të merret nesër, më së largu të hënën”, nënvizoi Thaçi.

Kreu i qeverisë tha se për të gjitha këto kategori rritja e pagave ka ndodhur në vazhdimësi nga viti 2007 deri në vitin 2013, duke arritur tek disa kategori dhe mbi 100 për qind.

Kabineti qeveritar ka ndarë 700 mijë euro për zbatimin e vendimit për heqjen e pagesave për sigurimin e veturave të qytetarëve që hyjnë në territorin e Kosovës nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA