Ngecja e punës në reformen kushtetutese për zgjedhjen e presidentit nga qytetarët dhe mungesa e një reforme të mirëfilltë zgjedhore e ka shqetësuar zëvendëskryeministrin e Kosovës Behgjet Pacollin.

Në një intervistë për Top Channel, Pacolli paralajmëron se për këtë cështje do të kërkojë mendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ai kujton se kemi të bëjmë me një rezolutë të Kuvendit që s’është respektuar.

Kreu i AKR shprehet kundër skenareve që sipas tij po përgatisin Thaci e Mustafa, ndërsa këmbëngul se presidenti duhet të zgjidhet me votat e popullit. Nga ana tjetër, ai nuk do ta mbështesë nismën e opozitës për rrëzimin e qeverisë me arsyetimin se Kosova nuk është e përgatitur për zgjedhje. Koha ideale për zgjedhje sipas tij është muaji shtator.

“Nuk e di pse dikush ka interesin që të ndalë këtë nismë. Ne kemi shkuar në takimet tona të rregullta për ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe AKR ka kryer punën e vet dhe i ka dërguar partive të tjera, aty ka ngelur cdo gjë, LDK nuk ka shkuar me tutje. Aty është bllokuar cdo gjë dhe kjo i është përshtatur PDK-së për arsye se këto parti nuk kanë cfarë t’u premtojnë më qytetarëve dhe me skenarë të tillë mundohen të hyjnë në zgjedhje dhe këto zgjedhje t’i manipulojnë. Ne jemi kundër saj. Ne kemi folur për reformë zgjedhore dhe këto reforma nuk janë kryer. Tani tentohet që të hyhet në zgjedhje pa reforma. Ne jemi duke parë mundësinë për të marrë një mendim nga Gjykata Kushtetuese për dy nismat që kanë marrë formën e një rezolute parlamentare”, thotë kreu i AKR-së.  

Tani kur  qeverisja e përbashkët me kryeministrin Hashim Thaci është në fund Pacolli thotë se nuk ka mundur ta realizojë planin e premtuar ekonomik. Ai kritikoi kabinetin qeveritar se për shkak të interesave personale është bllokuar ngritja e fabrikës së kërpudhave në Mitrovicë, premtim elektoral i AKR-së. Pacolli tha se investitori japonez ka kërcënuar se këtë investim do ta kryejë në Serbi. Afati i fundit është muaji mars.

Duke folur për të ardhmen e ndërmarrjes Trepça Pacolli thekson se është e domosdoshme që kjo ndërmarrje të  mos menaxhohet më nga agjencia kosovare e privatizimit. Në vend të AKP-së Trepça duhet t’i kalojë një mekanizmi tjetër nën menaxhim e që do të ishte Agjencia Kosovare e Participimit.
 
Për Pacollin nuk është parësore nëse ai nominohet apo jo nga partia për kryeministër të Kosovës. Edhe në garën presidencialenuk është i sigurtë qind për qind se do të hyjë, por paralajmëron se do të garojë me plan të favorshëm ekonomik për qytetarët e Kosovës.

Top Channel