Me 6 vota pro dhe 3 abstenime, Komisioni për Legjislacion ka miratuar të mërkurën draftin për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Drafti do t’i dorëzohet kryesisë së Kuvendit dhe në ditët e ardhshme do të hyjë në proçedura të rregullta për lexim të parë.

“Projektligji do bëhet në kryesi, që e ka në rend dite të hënën. Pastaj mbetet në proçedurat e saj pasi ne e kemi kryer punën tonë. Mendoj se ka shumë përmirësime cilësore dhe do ketë rezultat pozitiv në procesin zgjedhor”, deklaroi pas mbledhjes Arben Gashi, kryetar i komisionit.

Nga ky komision u vendos që fushata parazgjedhore të zgjasë 15 ditë e jo 30, ashtu siç ishte në zgjedhjet e kaluara. Vota e subjektit politik automatikisht do t’i shkojë bartësit të listës ose liderit të partisë politike.

Një gjë e tillë për Behar Selimin, nga Partia Demokratike e Kosovës, është legjitime. Ai tha se puna e kryer nga komisioni është për t’u lavdëruar.

“E kam thënë por e përsëris, për mua kjo çështje ka të bëjë me legjitimitetin dhe jo legalitetin. Këto janë dy çështje të ndryshme. Legjitimiteti liderëve fitohet në zgjedhjet brenda partisë, nëse fitohet shkohet për ta kërkuar në votim qytetar”, deklaroi Selimi.

Edhe pragu zgjedhor mbetet i njejti, 5% për parti politike, 7,5% për koalicione dhe 2,5% për kandidatë të pavarur. Gjatë mbledhjes pati edhe debate.

Lidhur me dokumentet identifikuese që duhet të përdoren për të votuar, Albulena Haxhiu nga lëvizja Vetëvendosje kërkoi të specifikohet që ato dokumente valide duhet të jenë vetëm të Republikës së Kosovës.

Sa i përket kutive të votimit, komisioni vendosi që lartësia e kutisë ku votohet, prej vendit ku vendoset fletëvotimi të jetë 30 centimentra, në mënyrë që të mbrohet e drejta e votës së fshehtë dhe të evitohet mundësia e manipulimit.

Vendim tjetër i këtij komisioni ishte edhe heqja e nënkryetarit të KQZ-së. Pjesë të caktuara të këtij drafti, mes dy leximeve mund të ndryshojnë.

Top Channel