
Ato kanë hyrë paralelisht në botën e televizionit dhe tashmë e kanë formësuar imazhin e tyre si prezantuese në Top Channel. Marina dhe Luana, dy motrat bukuroshe kanë qenë gjithnjë në vëmendje të publikut.
Puna e tyre është shoqëruar me komente shumë dashamirëse për pamjen e tyre fizike. Madje Marina, me veshjen e saj kuq e zi që përfaqëson imazhin e kombëtares së futbollit tonë, para disa ditësh mori vëmendjen e mediave brenda dhe jashtë vendit. Madje disa prej tyre në komente e kanë ngatërruar atë me Luanën, e cila me pamjen e saj të re bionde, ka marrë më shumë nga hija e motrës së madhe.
Por, ky nuk është motivi i vetëm që e bën publikun t’i ngatërrojë motrat Luanën dhe Marinën me njëra-tjetrën.
Të bukura dhe të suksesshme motrat Vjollca, por ne njohim vetëm dy prej tyre sepse ato janë katër. Lira është më e madhja e tyre. Ajo jeton dhe punon jashtë. E po ashtu është mami e tre vajzave shumë të bukura. Pas saj vjen Marseda, një tjetër bukuroshe që nëse edhe ajo do të kishte zgjedhur rrugën e televizionit, me siguri do të ngatërrohej me motrat e saj më të vogla, Marinën dhe Luanën.
Dhe nëse numërimi i motrave Vjollca do të kishte vazhduar edhe përtej Luanës, askujt nuk do t’i kishte ardhur keq për këtë.
Sopranoja Shpresa Beka: Motrat, mbështetja ime më e madhe
Shpresa Beka është një emer shumë i konsoliduar në skenën operistike. Soprano që shfaq jo vetëm talent për muzikën klasike, por edhe shumë stil dhe prezencë.
Kur ngjitet në skenë ajo është ylli ndriçues, por që pas kuintave qëndron gjithmonë mbështetja e fortë e motrave të saj më të mëdha, Rajmonda dhe Mimoza. Ato ndajnë problemet profesionale, por jo vetëm. Janë po aq të pranishme në punën e saj sa edhe asistentet në prapaskenë dhe padiskutim që nuk humbasin kurrë asnjë shfaqje të saj.
Por, pas këtij bashkimi të fortë motrash qëndron një dorë e madhe. Ajo është nëna e tyre Fiqiretja. Motrat Beka janë gjithnjë të bashkuara dhe të kudondodhura për njëra-tjetrën, edhe pse secila ka familjen e saj dhe një profesion të ndryshëm nga tjetra.
“Gjithmonë i qëndrojnë pranë njëra-tjetrës dhe kjo më lumturon. Shpresoj që edhe kur të bëhen plaka të shkojnë po kaq mirë”, thotë nënë Fiqiretja.
Dhe gjithë vëmendja dhe përkushtimi motëror shkon për të voglën e tyre, Shpresën. E nëna Fiqirete lumturohet pa masë për këtë unitet të madh, por kërkon që harmonia mes vajzave të mos mbetet me kaq.
“Edhe motrat e mia, sidomos Mimoza, kanë talent për të kënduar dhe kur i dëgjoj tek këndojnë në gëzime familjare më vjen keq që nuk i janë futur muzikës”, thotë Shpresa Beka.
Ertila dhe Danja, dy motra për kokë
Ajo është një këngëtare e muzikës moderne shqiptare. E re, por mjaft e konsoliduar në imazhin e saj të cilin e ka ndërtuar me shumë kujdes. Ertila Koka, një artiste që vokali i saj i pastër lidhet bukur me sharmin që ka.
Danja Koka është një bukuroshe që me pjesëmarrjen e saj televizive te quiz-shoë “Tjetri” fitoi menjëherë vëmendje. Ajo është e ëmbël, shumë e shkathët dhe e mprehtë. Pavarësisht se karrierën e ka nisur me modeling, shumëkush e identifikon si Danja e Tjetrit, por pakkujt i shkon mendja se Danja dhe Ertila janë dy motra. Të dyja të njohura, por me profile tërësisht të ndryshme, megjithatë shumë të lidhura me njëra-tjetrën.
Janë mbështetëse të njëra-tjetrës në karrierat përkatëse dhe shoqe shumë të mira. Por nuk janë vetëm sepse motrat Koka janë katër. Aldora, më e madhja e tyre, është avokate dhe është këshilluesja e tyre më e mirë ligjore dhe për çështjet e zemrës, siç thonë ato.
Dhe e fundmja e motrave Koka është Mirdiona, 14-vjeçare. Ende e vogël për të orientuar të ardhmen e saj, në televizion apo jashtë tij, por për momentin po shijon suksesin e dy motrave të saj.
Tragjedia e motrës së Julia Roberts
Një lajm tronditës u publikua pak ditë më parë në mediat amerikane. Motra e aktores së famshme hollivudiane Julia Roberts u vetëvra duke fajësuar Julian për aktin e ndërmarrë.
Nancy Motes, e cila u gjet e vdekur në dush nga i fejuari i saj John Dilbeck në apartamentin e tyre në Los Angeles, la pesë faqe letër para vetëvrasjes, ku në tre prej të cilave fajësonte yllin e “Pretty Woman” për gjendjen e saj emocionale. Në faqen e katërt rrëfente dashurinë që kishte pasur për të ëmën dhe në të fundit një faqe shfajësimi për të fejuarin e saj.
Motes ishte motra nga mamaja e Julia Roberts dhe verën e kaluar ato patën një krisje në marrëdhënien e tyre pasi Motes akuzoi publikisht gjatë një interviste televizive Robertsin se kjo e fundit i kishte ndaluar aksesin për të takuar nënën e tyre të sëmurë, Betty Lou. Vetëm pak javë para vdekjes së saj, 37-vjeçarja lëshoi online një akuzë të hidhur për motrën e saj të famshme, duke e quajtur “një lavire që nuk vepronte”.
“Kështu pra, ime motër thotë se me aq shumë fansa dhe miq që ka, nuk ka nevojë për më shumë dashuri. Epo dijeni se “shpirti i amerikanëve” është thjesht një lavire”, tha Nancy Motes në Twitter, duke iu referuar yllit të Hollivudit, e cilësuar si më e preferuara e amerikanëve në sondazhet online të vitit 2001 për filmin me të njëjtin emër “America’s Sweethart”.
“Doni të jeni fansi i dikujt të pashpirt? Ajo nuk është as aktore e mirë. Familja ime më ka braktisur”, vijonte mesazhi i saj në internet. Në muajin gusht të vitit të kaluar, Motes dha një intervistë ku deklaroi se Julia Roberts, edhe pse 46 vjeç, kishte një sjellje prej adoleshenteje. “Kur isha në gjimnaz dhe ajo ishte në moshë madhore, më vinte në dukje gjithë kohës faktin se unë isha tepër mbipeshë”, rrëfeu Motes. “Trishtohesha vërtetë shumë”.
Pak ditë pas ngjarjes, duke u nisur edhe nga drama në jetën e saj personale, Julia Roberts u shfaq në një video të re ku inkurajonte njerëzit për t’i ndenjur më pranë njëri-tjetrit. Në krah të saj u shfaqën yje të tjerë të Hollivudit si Taylor Swift, Jennifer Aniston dhe Tom Hanks. Video përfaqësoi fushatën e re të ndërmarrë nga Oprah Winfrey e titulluar “Vetëm përshëndesni”.
Kjo video u shfaq në ekran në të njëjtën ditë me certifikatën e vdekjes së Nancy-t. Në videon e Opras, Julia duket rrëzëllitëse me një fustan të zi duke thënë « hej shpirt » teksa shihte kamerën. Motoja dhe mesazhi që përcillte kjo video ishte “Është e lehtë. Është falas dhe mund të ndryshojë jetën e dikujt”.
Top Channel