
Koalicioni ndëmjet Lidhjes Demoktatike të Kosovës dhe partisë në pushtet është opsioni i fundit sipas shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.
Pas mbledhjes së kryesisë, Beqiri mohoi të gjitha lajmet për marrëveshjet e mundshme ndërmjet kryetarëve Thaçi-Mustafa, duke i quajtur spekulime dhe të pavërteta.
“Çdo çështje që ka të bëjë me zgjedhjet ne e debatojmë në Këshillin e Përgjithshëm, përfshirë këtu edhe atë për koalicionet. PDK është e fundit nëse LDK-ja nuk ka asnjë zgjidhje. Por edhe atëherë, veçse nëse mbështetemi tek muri, sepse PDK-ja nuk është alternativë e bashkëqeverisjes me LDK-në dhe unë personalisht jam ndër ata që nuk jam dakord. Besoj se LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe pasi t’i fitojë do të vendosë për partnerët e koalicionit”, deklaroi Beqiri.
Ndërkohë, për Adem Grabovcin nga PDK-ja, koalicioni ndëmjet LDK-së dhe partisë në pushtet pas zgjedhjeve që pritet të zhvillohen këtë vit nuk është aspak i pamundur.
“PDK nuk është udhëhequr nga politika e përjashtimit të askujt. Ne jemi të vendosur të bashkëveprojmë me çdo parti politike që jep ofertën dhe bashkëpunimin më të mirë. Ne do të jemi të gatshëm të bashkëqeverisim me të”, tha Grabovci.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi nuk bëri me dije nëse do të japë dorëheqjen nga posti, e kërkuar pas paralajmërimeve për themelimin e një partie të re.
“Ky është vendim që varet nga unë dhe unë kam obligime edhe për zhvillimet politike edhe për deputetët që më kanë votuar në seancën kur është zgjedhur kryesia e Kuvendit. Unë ju informoj me kohë. Jo kur doni ju por kur dua unë”, iu përgjigj Krasniqi mediave.
Ndërkohë, Ardian Gjini nga AAK theksoi se ditën e enjte dhe të premte përfundimisht do të behët e ditur nësë do të nënshkruhet apo jo mocioni i AAK-së për shkarkimin e qeverisë Thaçi. Deri më tani sipas tij, mocioni është nënshkruar nga deputetët e pavarur dhe jo nga partitë e mëdha opozitare.
Kundër këtij mocioni u shpreh Visar Ymeri nga VV. Sipas tij, mocioni AAK-së nuk do të votohet pasi nuk ka për qëllim rrezimin e qeverisjes së keqe por, thjesht forcimin e qeverisë aktuale. Mocionin e AAK-së nuk do ta votojë as LDK-ja.
Top Channel