“Gogoli” Berisha dhe nevoja për veprim

24/02/2014 00:00

ZAMIRA ÇAVO – Berisha dhe nevoja per veprimËshtë në filozofinë e
politikanëve demagogë e diktatorë, që të përdorin paraardhësin e tyre si
“gogol” për të larguar vëmendjen e njerëzve nga ata vetë! Kështu bëri
edhe Enveri me A. Zogun, kur në çdo fjalim përmendte statistikat e kohës
së Zogut për t’u krahasuar me “arritjet” e politikës së tij.

Kështu kanë bërë edhe këta 23 vjet politikanët tanë, duke na treguar vazhdimisht “gogolin” Enver! Dhe nuk është se nuk ia kanë dalë! Duke na trembur me Enverin, kanë synuar të tërheqin vëmendjen nga realiteti ynë politik. E kanë shndërruar betejën për realizimin e programeve të tyre, në betejë me “gogolin” e së djeshmes.

E ndërsa vëmendja e opinionit publik përqendrohet në këtë betejë “të nxehtë” në dukje, në terrenin underground, politikanët qeverisës realizojnë synimet e tyre të mbrapshta… Është tërësisht e pagjetur që sot, pas 23 vjetësh, sërish shpërthen lufta “kundër” komunistëve. Por realisht Berisha e ka përdorur këtë si kalin e betejës dhe rrugën për t’i bërë “gjëmën” vendit. Frika nga Enveri e bëri Berishën “demokratin” e paqes!

Sot, figura e Berishës, ka marrë po atë ngjyrim si “gogoli” i së keqes! Njerëzit tashmë e kanë personifikuar pikërisht kështu Berishën, përndryshe nuk do të votonin aq gjerësisht Rilindjen. Ndaj sot, sa më shumë del në ekran Berisha, aq më shumë “shtrëngohen” krahët rreth qeverisë! Është si të thuash një “frikë” nga rikthimi i këtij modeli shkatërrues, që e bën qeverinë të ndihet komode. Madje dhe t’ia lërë të lirë podiumin e Parlamentit sa herë të dojë të flasë. Çdo ngritje e Berishës në atë podium është një kohë e shtuar rehat për qeverinë!

Por në gjendjen ku është katandisur vendi, për shkak të atij modeli qeverisës, nuk ka kohë për të qëndruar rehat e komodë. Qeveria e Rilindjes, pasi në këta muaj na ka treguar se çfarë ka bërë Berisha dhe klani i tij, pasi na kanë treguar xhepat bosh të shtetit, tani duhet të na tregojë atë për të cilën u votua: reagimin konkret dhe t’u japë besimin njerëzve se nuk do të ndiqet më ai model shkatërrues!

Sigurisht është ende shpejt për t’i kërkuar llogari qeverisë se pse nuk ka bërë “shëndetësinë falas” apo pse “nuk ka siguruar vendet e punës” që premtoi. Vetëm një dashakeqës i vendit mund ta bëjë këtë! Por ama është pikërisht koha për t’i kërkuar qeverisë: Boll më me “gogolin” Berisha! Nëse sot të gjithë jemi të bindur se Berisha ka kryer një krim të madh me demokracinë e këtij vendi, dhe ky krim është sa politik, aq ekonomik e social, ky individ duhet dënuar politikisht, por dhe sipas ligjeve që ka shteti ynë për dëmet që ka sjellë.

Natyrisht drejtësia shqiptare është kapur tërësisht nga e “keqja” dhe korrupsioni, e në këtë mënyrë, çdo pretendim për t’ia dërguar drejtësisë dosjen “Berisha” do të ishte një hap i nxituar. Por, nga ana tjetër, qëndrimi i qeverisë do të duhej të dukej qartazi në përgatitjen e dosjes së jashtëzakonshme të korrupsionit Berisha!

Ka dy arsye madhore që e detyrojnë moralisht qeverinë ta bëjë këtë: Së pari: Pasi ke bërë “inventarin” e asaj çka të ka lënë paraardhësi dhe ke gjetur humnerën e madhe financiare dhe ekonomike, e ke detyrë parësore nxjerrjen e përgjegjësive. Nëse Berisha që ti ke deklaruar është përgjegjësi kryesor, atëherë ky përgjegjës duhet proceduar! Në të kundërtën, mosbesimi i njerëzve në atë çka do të bësh ti si qeveri, vjen në rrije! Opinioni publik ka nevojë të kuptojë se ti ke një model tjetër, të ndryshëm nga ai i paraardhësit tënd, por që ta besojë këtë duhet më së pari të shikojë si japin llogari shkaktarët e rrënimit të vendit!

Së dyti: Pas 6 muajsh qeverisje, analiza e gjendjes se shtetit është bërë në të gjithë sektorët e tij. Pra është kohë e mjaftueshme për të marrë vendime. Nëse sot ne vazhdojmë akoma me “gogolin” Berisha, nuk bëjmë gjë tjetër përveçse risjellim po atë model qeverisje të së kaluarës dhe që nuk premton ndryshim radikal të gjendjes. Nuk ka pse më të deklarohet “kështu na e la Berisha”, “fajin për këtë e ka Berisha” etj., etj. Më vjen keq teksa dëgjoj drejtues të lartë të shtetit që vazhdojnë të flasin me gjuhën e opozitarit! Jo, tani është momenti kur duhet të duket qartazi ravijëzimi i një politike të re. Askush nuk dëshiron të dëgjojë më për Berishën. Por ama është tërë sy e veshë të dëgjojë e të shikojë se çfarë realisht po bën qeveria. Ndaj edhe në daljet publike, nuk ka pse flitet më për të kaluarën. Duhet të shohim përpara. Dhe opinioni publik nuk është më aq i paqartë sa të mos dijë të vlerësojë realitetin nga fiktiviteti. Ky opinion, në forma të ndryshme, tenton të shikojë realizimin e shpresës së tij. Personalisht jam e bindur se ka ardhur koha për të parë fillimin e punëve konkrete të qeverisjes së re. Çdo pretendim i mëtejshëm për t’u justifikuar me “gogolin” Berisha është një përpjekje për të mbuluar praktika jo fort efektive. Shqiptarët gjithnjë kanë humbur kohë. Dikur, për shkak edhe të mungesës së formimit dhe informimit të tyre. Sot nuk është më si dikur. Po ti shtojmë këtij realiteti dhe faktin se shumica e njerëzve besojnë se “ky është shansi i fundit për ne të gjithë”, mendoj se nuk do ta lënë të qetë qeverisjen për t’u rehatuar e për t’i tundur gjithnjë “gogolin” Berisha!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA