Barcelona i pagoi autoriteteve spanjolle një shumë prej 13,5 milionë eurosh, disa javë pasi klubi u akuzua për evazion fiskal në rastin e blerjes së Neymar.
Ndonëse kjo pagesë duket si një vendosje në vend e drejtësisë, në një deklaratë shoqëruese, klubi katalanas ritheksoi se nuk ka shkelur asnjë ligj.
“Qëllimi ynë është që të paraprijmë çdo keqinterpretim të mundshëm që mund të ndodhë me rastin e operacionit të Neymar”, shkruhej në komunikatë.
Misteri që rrethoi blerjen e Neymar, detyroi presidentin Rosell që të jepte dorëheqjen më parë gjatë Janarit.
22-vjeçari i përfaqësueses braziliane mbërriti në “Camp Nou” në muajt e verës për 68 milionë euro.
Megjithatë, kjo ishte vetëm shuma që iu pagua klubit të Santosit, ndërsa duke marrë parasysh edhe paratë e paguar ndaj prindërve të Neymar dhe një konsorciumi që mbani pjesë të të drejtave kontraktuale të futbollistit, vlera e vërtetë e operacionit shkoi mbi 100 milionë euro.
Barcelona akuzohej se pjesën e dytë të pagesave nuk e kishte bërë publike, për të mos paguar një pjesë të taksave dhe pavarësisht mospranimit të fajit prej klubit, 13,5 milionë eurot e derdhura të hënën në arkat e shtetit spanjoll duket se kanë shkuar pikërisht për të mbuluar këtë skandal.
Top Channel