Vakumi për marrëzi të reja

23/02/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Mjeku dhe publicisti Arben Runa publikoi dy ditë më parë shkrimin: “Një ilaç që dëshmon ‘tumorin’ e shëndetësisë shqiptare”.

Një shkrim tronditës për një histori prindi italian, i cili bie viktimë e një legjende jo vetëm shqiptare, për gjetjen e “ilaçit kundër kancerit”. Është marrëdhënia që mjeku artikullshkrues ka rastësisht me qytetarin italian të ardhur në emër të hallit të vet për sëmundjen e të birit në Tiranë, në kërkim të Vidatox-it shqiptar. Në fakt ka vite që qarkullon, madje është përcjellë edhe në media “kjo gjetje”. Legjenda e gjallë urbane qarkullon dhe shumohet çdo ditë në mënyrë verbale nëpër Shqipëri, duke ndërtuar një urë të çuditshme me Kubën. Fate dhe shpresa, si dhe gjendje reale dramatike pacientësh, po përfshihen në këtë subjekt, i cili ka marrë përmasat e një historie “piramide” në Shqipëri. Në këtë “odise” iluzive përfshihen njerëz që përballen me kurthe mashtrimesh, shqiptarë dhe shtetas të huaj, të cilët ndjekin utopinë e shërimit prej “së keqes”, pra tumoreve në rrugë dhe rrethana informale dhe prej trafikantësh që sajojnë legjenda urbane. Nuk është thjesht një shkrim konstatues, por një histori si në reportazh, e pasur me fakte, të cilat meritojnë të vënë në lëvizje policinë, prokurorinë, organet e tjera të hetimit, krimit ekonomik dhe mbi të gjitha, laboratorët shkencorë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Është një akt i pastër i denoncimit publik prej një mjeku-qytetar, prej një eksperti dhe autoriteti të mjekësisë publike, por mbi të gjitha i një shtetasi, i cili jo vetëm e di, por që e mbart të plotë ndërgjegjen se shteti nuk mund të justifikojë asnjë vakum apo mosndëshkim të mashtrimit për dhe me shëndetin e qytetarëve të vet.

Rasti që denoncon doktor Runa ka të bëjë me faktin e aq përmendur në shtypin dhe mediat online nëpër botë se Shqipëria dhe Kuba janë dy vende në të cilat lejohet përdorimi dhe tregtimi i barnës së quajtur Vidatox dhe veprimtaria e klinikës kubane. Një variant tipik i formës informale dhe piramidale e mashtrimit të qindra, e pse jo edhe mijëra, pacientëve me tumor dhe familjarët e tyre. Kalvaret e pacientëve dhe të familjarëve të tyre në përballje me sëmundjen që përfundon tragjikisht për secilin, mbesin të njohura e të panjohura, por fatkeqësisht edhe të pandalshme. Shumë prej tyre gjenden të përfshirë në një procedurë rraskapitëse sorollatjesh dhe pritjesh, zhvatjeje të shumave të mëdha financiare, si dhe mundimesh me një shpresë të rreme. Madje pohimi i doktorit se kjo e ashtuquajtur klinikë ambulante dhe ilegale qarkullon nga njeri skaj i Tiranës në tjetrin, duke iu shmangur në këtë mënyrë kontrollit ligjor dhe dijenisë shtetërore, përbën flagrancën e këtij denoncimi.

Por ky rast i një mashtrimi kolektiv për arsye dhe motive shëndeti është po kaq tronditës, sa edhe ai që deklaroi si problem të madh, Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, për kontratat e dyfishta dhe të trefishta për të njëjtat apartamente që janë bërë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Shembuj të tillë kaq të shpeshtë kanë shkaktuar dhe vijojnë të shkaktojnë drama të rënda psikike dhe sociale, ekonomike dhe familjare në Tiranë apo në qytete të tjera të vendit. Dhe ky nuk është një fenomen që lindi tani apo këtë vit. Kjo është një dukuri vrastare që ka një histori dhe jetëgjatësi, shtrirje, protagonistë dhe viktima që nuk dihet se deri në sa dhe deri ku mbërrijnë!

Të dyja rastet e mësipërme nxjerrin në pah jo vetëm një ineficencë ligjore dhe institucionale. Por dëshmohet tronditshëm pafuqia e institucioneve tona për parandalim dhe ndërhyrje në kohën e duhur për mosshpërndarjen dhe dimensionimin e një së keqeje që shfaqet si etje për shërbim ndaj nevojës dhe shëndetit të qytetarëve. Aftësia parandaluese ligjore dhe institucionale rezulton të jetë në kufijtë dhe vlerën e mjerimit.

Kontratat e shitjeve dhe blerjeve të apartamenteve natyrisht që përfshihen në një sistem regjistrimi dhe kanë lidhje me procedura noteriale, sado të ç’lloj kontrate mund të jenë. Ato arshivohen dhe përfshihen në një sistem konstatimi dhe kontrollimi. Si mund të ndodhë që ky sistem të mos funksionojë dhe që i njëjti kontraktues për të njëjtin objekt, kryeka dy apo tri shitje?! Ky është një absurd që i shkon vetëm anarkisë dhe një shteti anarkik. Krimi në këtë rast nuk është kryer vetëm nga shitësi i objektit, por edhe nga partnerët ligjorë të tij, qoftë avokati, qoftë noteri apo dikush tjetër. Në këtë mashtrim-krim implikohen me dashje apo pa dashje edhe një pjesë e aktorëve apo nëpunësve të sistemit regjistrues dhe noterizues në vend. Aq më tepër institucionet e regjistrimit hipotekor, nëse kanë kryer edhe ato veprime të tilla!

Në kësi konstatimesh ia vlen që Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me Gjykatat të administrojë statistikat e rasteve që zbulohen dhe denoncohen në gjithë hapësirën administrative të Republikës. Pas kësaj do t’ia vlente që në legjislacionin tonë të ndërmerren amendime ligjore që parandalojnë ripërsëritjen e rasteve dhe vijimësinë e fenomenit. Ndërkohë që dramat e pazgjidhura ende nga familjarët dhe viktimat-blerës, duhen marrë në administrim ligjor për të ndëshkuar pa mëshirë mashtruesin, protagonistin e mashtrimit të ripërsëritur, atë shitës abuzues që nuk ka lidhje me profilin e ndërtuesit dhe kapitalistit, por është protagonist i rrezikshëm i së keqes dhe i përvetësimit abuzues të mundit dhe financave të qytetarëve të pafajshëm dhe nevojtarë. Mashtrues të tillë veç pasojës kriminale mbi individin e mashtruar, lëndimit deri në depresion dhe pasoja familjeprishëse, sjellin edhe një kontribut skandaloz për informalitetin pronësor në vend. Ata janë kultivues të shumë të këqijave në realitetin dhe marrëdhëniet mes gjyqësorit, institucioneve dhe qytetarit.

Heshtja dhe trajtimi spontan i rasteve në fjalë, ndërsa në realitet gëlojnë shembuj të shumtë të frikshëm, mundëson vakumin e marrëzishëm të kujdesit dhe ndërhyrjes ligjore e shtetërore. Aktorë të tillë të mashtrimit të qytetarëve, meritojnë jo vetëm të ndëshkohen, por për ta nevojitet të amendohet legjislacioni për t’u dhënë sanksione shtesë. Dhe kur themi sanksione dhe penalitete shtesë nënkuptojmë jo vetëm sekuestrimin e pasurive, por mbi të gjitha për heqjen e mundësisë për ushtrimin e aktiviteteve dhe sipërmarrjeve që lidhen me qytetarët dhe shërbimin publik. Kësaj kategorie i duhet hequr mundësia e ripërsëritjes së mashtrimit në çdo variant. Penalitetet që duhen parashikuar në legjislacion për këtë kategori, duhet të burojnë prej së drejtës së qytetarëve për të mos humbur kursimet dhe mundin financiar për sigurimin e një shtëpie apo një banese familjare. Këtë duhet ta bëjë shteti dhe legjislatorët tanë, nëse përfaqësojnë statusin e “amësisë” ndaj qytetarëve. Rastet dhe mashtrimet e shtuara të kësaj natyre, si qytetarë përballë ligjit dhe shtetit, na imponojnë rivlerësimin e sentencës së profesorit të gazetarisë Xhon Bremer, i cili pohon se: “Në rast se nëna të thotë se të do, vëre në provë”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA